Ali Ahmeti: Jemi të palëkundur në prioritetin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, në të cilën është diskutuar për zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut.
“Të palëkundur si gjithmonë në prioritetin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, të vendosur njëzëri që të ruajmë stabilitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e politikave progresive dolëm sot nga Mbledhja e Këshillit të Bashkimit Demokratik për Integrim”, ka deklaruar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ai ka thënë se BDI-ja si faktor me legjitimitet dhe me mandat të plotë nga populli, do të jetë mburojë e të arriturave të shumta si integrimi në NATO, Marrëveshja e Ohrit dhe Prespës, barazia mes komuniteteve, marrëveshjet e fqinjësisë të mirë dhe çdo hapi progresiv të bërë deri më tani.
“Të gatshëm për bashkëpunim vetëm me ata që duan të mirën e vendit dhe nuk tentojnë të na dezorientojnë nga rrugëtimi pa alternativë properëndimor i së ardhmes së shëndoshë të zhvillimit”, ka thënë Ahmeti.