Ali Ahmeti kërkon nga Kosova ta diskutojë çështjen e cenimit të gjuhës shqipe me Qeverinë e Maqedonisë
Në Prishtinë, të hënën, do të mbahet mbledhja e përbashkët në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka kërkuar që Qeveria e Kosovës në mbledhjen e përbashkët në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, ta ngrit “çështjen e cenimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut”.
“Të njëjtën e pres edhe nga partitë politike në Kosovë, që bashkërisht ta ngritin zërin kundër nëpërkëmbjes së të arriturave kombëtare të fituara me gjak”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.
Në Prishtinë, të hënën, do të mbahet mbledhja e përbashkët në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.
Lajmi është bërë i ditur nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të enjten, përmes një komunikate për media
“Ju informojmë se më datë 18.11.2024 në Prishtinë do të mbahet mbledhja ndërqeveritare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me fillim zyrtar në orën 10:50 sipas agjendës së parashikuar”, thuhet në njoftim.
Bëhet me dije se në kuadër të mbledhjes ndërqeveritare do të nënshkruhen disa memorandume dhe marrëveshje për bashkëpunim në disa fusha.
Herën e fundit, mbledhja në mes të dy qeverive respektive ishte mbajtur më 16 shtator 2021, ku në Maqedoni të Veriut kryeministër ishte Zoran Zaevi, ndërsa në mbledhjen e së hënës ekzekutivi maqedonas ka përbërje tjetër, drejtohet nga Hristjan Mickoski.
Edhe në atë mbledhje ishin nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje.
Kësaj mbledhje i ka paraprirë një vizitë e Kurtit në Maqedoni të Veriut, më 5 gusht, ku ishte takuar me kryeministrin Mickoksi, me të cilin kishte mbajtur edhe një konferencë për media.
Ndryshe, pjesë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut është edhe koalicioni “VLEN”, i cili kishte pasur mbështetjen e Kurtit në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.