Ali Ahmeti: Kur do të ndalet gjahu ndaj luftëtarëve
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka reaguar ndaj akuzave që Gjykata Speciale ka ngritur për presidentin Hashim Thaçi dhe liderin e PDK-së, Kadri Veseli.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se lufta çlirimtare gjithmonë ngadhnjen, ndërsa rrugën e Kosovës dhe të popullit shqiptar nuk e ndalon asnjë ndërhyrje.
Postimi i Ahmetit:
E kur bëhet mjaft?! Kur do të ndalet ky gjah ndaj luftëtarëve i mbështjellur me shpifje, propagandë, përndjekje dhe denoncime politike?
Aq shumë misione, gjykata e prokurori kaluan dhe vepruan gjatë këtyre 22 viteve, aq shumë procese e zhvilluan, sa që u devalvua besimi në këto përndjekje periodike dhe në momente kyçe për Kosovën dhe rajonin.
Lufta çlirimtare gjithmonë ngadhnjen, ndërsa rrugën e Kosovës dhe të popullit shqiptar nuk e ndalon asnjë ndërhyrje.