Ali Ahmeti: Ligji për gjuhët, zyrtarizohet pas referendumit
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka deklaruar se Ligji për gjuhet në Maqedoni do të zyrtarizohet pas referendumit për emrin, i cili do të mbahet më 30 shtator.
Ai ka thënë se bojkoti i opozitës është armë e atyre që nuk ia duan të mirën Maqedonisë.
“Ne nuk mund të lejojmë që në këto hapësira të luhet vallja e tjetërkujt. Vullneti ynë i fortë është që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së. Nuk kemi të ardhme jashtë BE-së. Duam të jemi pjesë e përparimit dhe zhvillimit, duam të jemi pjesë e Aleancës, qytetarët tanë t’i përgjigjen pozitivisht 30 shtatorit dhe të votojnë për marrëveshjen, të votojnë për NATO-n, të votojnë për BE-në, të votojnë për paqen, stabilitetin, sigurinë, ardhmërinë, sundimin e ligjit dhe shtetit ligjor”.
“Bojkoti është arma e të ligut, bojkoti nuk është kategori e demokracisë që ne e kemi instaluar në vend. Nga ne pritet që më 30 shtator t’i gëzohemi suksesit, të gjithë të dalim e të propagandojmë e të votojmë për Maqedoninë në NATO. Pas referendumit nënshkruhet nga kryeparlamentari marrëveshja e arritur në Prespë dhe Ligji për gjuhët, që të dy botohen në Gazetën Zyrtare dhe hyjnë në fuqi”, ka thënë Ahmeti gjatë një takim me qytetarët e Komunës Saraj, në kuadër të fushatë për referendumin.