Ali Ahmeti në akademinë përkujtimore për Qerim Kelmendin: Ishte dhe do të mbetet yll i pavdekshëm

27 shkurt 2025 | 14:01

Shoqëria Lëvizja, organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë në Kosovë ka organizuar akademi përkujtimore në 5-vjetorin e vrasjes së Qerim Kelmendit.

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Kosovë, Binak Ulaj, ka thënë se sot janë bërë 5 vjet dhembje, brengosje për moszbardhjen e vrasjes së Qerim Kelmendit, tani hero i Kosovës.

“Ai ka lindur në një familje atdhetare e cila ishte e detyruar t’i braktisjet trojet në fshatin Vuthaj të Plavës e Gucisë, për t’i shpëtuar dhunës së egër të pushtuesve malazias e serb që bënin krime me qëllim të pastrimit etnik të viseve shqiptare të pushtuara.  Kjo familje bashkë më mallin për vendlindje do ta ruaj edhe traditën e besë e  trimërisë, tipar këto që do t’i kultivojnë të fëmijët e tyre”,  ka thënë Ulaj.

Nënkryetari i Organizatës së veteranëve, Gazmend Syla, ka thënë se organizata e veteranëve të luftës posedon një listë të gjatë të luftëtareve të lirisë që u vranë pas luftës.

“Fatkeqësisht në këtë listë të gjatë është një numër i madh i atyre djemve që na u vranë e nuk u mor vesh kurrë kush na vrau. Në fakt ne e kuptuam që na vranë ata që nuk e deshën lirinë, nuk e deshën Shqipërinë dhe mes Shqipërisë dhe Serbisë e deshën më shumë Serbinë. Por, atentatorët e tyre asnjëherë nuk i pamë në bankën e të akuzuarve e të gjykuarve që së paku të jetë një lehtësim për ne dhe për familjet e atyre djemve që na u vranë”,  ka thënë Syla.

Kurse një nga shokët dhe bashkëluftëtarët e Qerimit, Blerim Muriqi duke folur për jetën e Qerimit, ka thënë se ai ia kishte prishur planet dhe vetëm Serbisë.

Më tutje, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se Qerim Kelmendi ishte një yll i pavdekshëm dhe ashtu do të mbetet.

“Qerimi ishte një yll paralajmërues dhe furnizues i luftëtareve të lirisë, kompanive të para në Drenicë tekë Adem Jashari, kompanive të para në Dukagjin si në Gllogjan e vendbanimet tjera. I trazuar si oqean për hakmarrje, pat hakmarrje të thellë për Luan Haradinaj. Më vonë i ndodhi që i iku shoku që i ra Adriani, për të vazhduar me Zahirin, Edmondin që ju shtua akoma trazira këtij oqeani deri në furnizimin e pjesës dërmuese të ushtrave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me gjurmë të pashlyeshme nga vetë dora e Qerim Kelmendit dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Qerim Kelmendi ishte një yll i pavdekshëm dhe ashtu do të mbetet”, ka thënë Ahmeti.

Në emër të familjes Kelmendi, Muhamet Kelmendi,  ka thënë se u takon gjeneratave të ardhshme që të vazhdojnë rrugën që filluan luftëtarët e lirisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Sportit ka dale me një sqarim publik rreth…