Ali Ahmeti në Drenicë për “Epopenë e UÇK-së”, rikujtoi vendin ku i gjen të gjitha
Lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Hmeti, me rastin e 22-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, pas vizitës te familja emblematike Jasharaj, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se sot u rikthye në Kosovën e tij, aty ku i gjen të ngërthyer të gjitha.
Ahmeti ka vlerësuar heroizmin e familjes Jashari, duke theksuar se “Jasharajt, Baca Shaban, Ademi e Hamza, janë emblema e pavarësisë së Kosovës, e luftës së popullit shqiptar, e fitores së kombit tonë”.
Postimi i plotë i Ahmetit:
Sa popuj njohin njëkohësisht krenarinë dhe dhimbjen, mallin dhe ngadhnjimin, fitoren në sakrificën sublime, durimin në palcë, zemrën zjarr e kokën akull, lotin dhe buzëqeshjen, rënien dhe ngritjen, përjetësinë…
Jasharajt, Baca Shaban, Ademi e Hamza, janë emblema e pavarësisë së Kosovës, e luftës së popullit shqiptar, e fitores së kombit tonë.
Sot u riktheva në Kosovën time, aty ku i gjej të ngërthyer të gjitha, për të qëndruar pranë Jasharajve, përgjithmonë, sa të jetë jeta.