Ali Ahmeti përgëzon shqiptarët dhe Ramën: Evropa, alternativa e vetme për ne
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka komentuar hapjen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian të kapitullit të parë negociues.
“Lajm i jashtëzakonshëm nga Luksemburgu për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjithë rajonin e Evropës juglindore. Përgëzoj përzemërsisht të gjithë shqiptarët, Kryeministrin Edi Rama dhe gjithë ekipin që punoi palodhshëm drejt hapjes së kapitullit të parë negociues. Uroj që Shqipëria të punojë fort në drejtim të realizimit të objektivit për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2030. S’ka se si mos të përmend dëshpërimin që Maqedonia e veriut nuk është sot në krah të Shqipërisë për arsye të bllokimit të rrugëtimit tonë evropian si pasojë e mos zbatimit të kornizës negociuese të miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Maqedonia e veriut. Ne duhet bërë çmos që të sigurojmë dhe vulosim të ardhmen europiane për qytetarët tanë duke demonstruar lidership dhe përcaktim. Alternativë tjetër, nuk kemi! Evropa është rruga jonë e vetme”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij zyrtar në “Facebook”.