Ali Ahmeti prezanton Naser Ziberin kandidat për kryeministër të Maqedonisë së Veriut
Edhe pse ishin lakuar shumë emra që do të propozohen për pozitën e kryeministrin shqiptar, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetit të mërkurën gjatë konventës së BDI-së në Prespë, ka propozuar ish funksionarin e lartë të PPD-së, Naser Ziberi për kandidat për kryeministër.
Nominimi i Naser Ziberit ka ardhur me pëlqimin e Ali Ahmetit dhe mbarë opinionit shqiptar pas shumë anketave të realizuara.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti i cili nisi fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut, në konventën promovuese në Prespë shpalosi emrin e shumëpritur për kryeministër të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ish-deputetin dhe nënkryetarin e qeverisë dhe bashkëpërpiluesin e Marrëveshjes së Ohrit, Naser Ziberi.
“Pas konsultimeve intensive me shoqërinë civile, botën akademike, ekspertë dhe opinionin krijues, por edhe me miq e dashamirë, arritëm deri te emri unifikues dhe meritor për të qenë i pari shqiptar që garon për të thyer edhe kornizën e fundit një-etnike në Maqedoninë e Veriut, atë të kryeministrit të vendit dhe ky është Naser Ziberi i cili i ka të gjitha virtytet për të prirë ekzekutivin e vendit drejt barazisë së plotë”, ka thënë Ahmeti.
Ndërsa kandidati për kryeministër në fjalën e tij u shpreh i bindur se ka ardhur koha për barazi të plotë.
“Më befasoi thirrja e z. Ali Ahmeti me ftesë për takim në zyrën e tij. Më njoftoi që ishte konsultuar me shumë njerëz të respektuar të shoqërisë civile dhe akademikë, se emri im ishte ndër të propozuarit si kandidat mbipartiak. Sinqerisht, u befasova dhe natyrisht, u ndjeva i vlerësuar. Për të qenë plotësisht i sinqertë, mendova vet me vete se kjo jo vetëm që do të ndryshonte jetën time por ishte gjithashtu një përgjegjësi mjaft e madhe. Një vendim jo i thjeshtë për t’u marrë, dhe jo shumë kohë për ta menduar. Por, çeliku kalitet në zjarr dhe individi vlerësohet për nga vendimet që i merr për të mirën shoqërore përballë rehatisë individuale, andaj dhe thash: Po”, ka deklaruar Ziberi.
Naser Ziberi ka lindur në vitin 1961 në fshatin Llaskarcë të Shkupit, komuna e Sarajit. Ai ka përfunduar Fakultetin Juridik dhe aktualisht ushtron profesionin e noterit. Ziberi në të kaluarën ka qenë funksionar i lartë i PPD-së.