Ali Ahmeti: Qëndroj fuqishëm në mbështetje të Kosovës në dialogun me Serbinë
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit me Albin Kurtin në Ohër thotë se qëndron fuqishëm prapa Kosovës në momentet vendimtare në dialogun me Serbinë.
“Qëndroj në mbështetje të fuqishme të Kosovës në momentet vendimtare në dialogun e saj me Serbinë dhe në të gjitha hapat e mëtejmë për rrumbullakësimin e plotë të shtetësisë së saj në të gjitha nivelet ndërkombëtare. Këtë ia shpreha sot kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti në takimin që e patëm bashkë në Ohër”, ka shkruar Ahmeti në “Facebook”.
Ai ka thënë se Kosova e pavarur është realitet dhe drejtësi e ardhur në vendin e vet e konfirmuar edhe nga Evropa dhe ShBA-të që nuk mund të kontestohet në asnjë mënyrë.
“Inkurajova Kryeministrin Kurti për epilog pozitiv të dialogut mbi parimet e proklamuara të njohjes së ndërsjellë nga ndërmjetësuesit e BE-së që kanë qëllimin e sinqertë të ruajtjes së stabilitetit dhe ardhmërinë evropiane të mbarë Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Ali Ahmeti.