Ali Ahmeti takon Escobarin: Kosova shqetësim ynë i përbashkët
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka njoftuar të premten se ka takuar të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po qëndron për vizitë dy-ditore në Maqedoninë e Veriut.
Ahmeti ka thënë se ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut dhe zhvillimet në Kosovë ishin temat kryesore të bisedës.
Ai tutje është shprehur se Kosova ishte shqetësim i përbashkët, me ç’rast të dy kanë vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë është historike dhe duhet të zbatohet pa asnjë vonesë.
“Z. Escobar shprehu mbështetje të plotë për integrimin evropian të vendit i cili realizohet nëpërmjet të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa unë theksova gatishmërinë tonë të plotë për ti prirë këtij procesi. Kosova ishte shqetësim i përbashkët i joni, me ç’rast të dy vlerësuam që Marrëveshja e Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë është historike dhe duhet të zbatohet pa asnjë vonesë”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e tij në Facebook.
Kreu i BDI-së ka shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku më i vyer dhe i çmuar jo vetëm i Kosovës, por edhe të gjithë shqiptarëve dhe tërë rajonit.
“Por, shqiptarët në veçanti janë mirënjohës për rolin dhe kontributin amerikan për liri, paqe dhe demokraci dhe ky vlerësim i të gjithë neve nuk lëkundët dot”, ka përfunduar ai.