Ali Ahmeti të hënën do të shkojë si dëshmitar në Hagë
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ditën e hënë pritet të udhëtoj për në Gjykatën Speciale në Hagë.
Burime diplomatike thanë për agjensinë e lajmeve INA se, Ahmeti ditën e hënë pritet të niset drejt Hagës në cilësinë e dëshmitarit lidhur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Kreu i BDI-së konfirmoi se ka pranuar “pa asnjë hezitim” kërkesën e prokurorëve që po hetojnë krimet e kohës së luftës dhe pasluftës nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.
“Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, kishte shkruar Ahmeti në Facebook.
Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka pranuar të japë informacione se përse Ahmeti është thirrur në Hagë.
Ftesa për Ahmetin ka pasuar një javë pasi prokurorët e Hagës përfunduan marrjen në pyetje katër-ditore të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi më 24 qershor se ka një aktakuzë të pakonfirmuar që akuzon Thaçin, si dhe politikanin e lartë të Kosovës Kadri Veseli dhe ish-luftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku do të gjykohen të dyshuarit, janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por janë të vendosura në Holandë dhe përbëhen nga staf ndërkombëtar.
Ato u ngritën nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë i Kosovës nuk ishte aq i fortë sa të gjykonte raste kaq të ndjeshme.
E ashtuquajtura “gjykatë speciale” është kundërshtuar gjerësisht nga shqiptarët e Kosovës që e shohin atë si një fyerje për luftën e UÇK-së për çlirimin nga sundimi serb.