Ali Ahmeti: Unë nuk jam funksionar, jam misionar
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti një ditë pas ultimatumit të dhënë nga bashkë partiakët e tij për kthimin e menjëhershëm të partisë në binarë tha se partia e tij ka ngritur struktura të qëndrueshme me bazë të fortë, por nuk dha përgjigje të prerë për mos formimin e organeve partiake dhe akuzat e zyrtarëve të tij se përzgjedhja e kuadrove partiake është shndërruar në privilegj të Artan Grubit duke shpërfillur vullnetin e degëve e nëndegëve partiake.
Ahmeti tha se BDI në këto 20 vite është mësuar me pakënaqësi të tilla.
“Përherë ka pasur pakënaqësi, përherë ka pasur debate dhe mbi të gjitha kjo është vlerë që unë kam insistuar për 20 vite me radhë, që gjërat të thuhen hapur. Opinioni të dijë hapur për qëndrimet për mendimet e kundërta dhe askush nuk ka shkuar me shpatën e Giotinës, por është shumica nga mendimet ndryshe.
Shumica e BDI-së që nuk është anarki do rregull, do debat të qetë dhe shkencor. Dhe për këtë debati është i hapur, institucionet janë të gjitha funksionale dhe do të punojmë e veprojmë sipas agjendave të përcaktuara”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
I pyetur nëse BDI mund të funksionojë pa të nënshkruarit në ultimatumin e një dite më parë, Ahmeti tha se partia mundet pa këdo.
“Bashkimi Demokratik për integrim ka ngritur struktura të qëndrueshme që mund të funksionojnë pa Ali Ahmetin, pa Blerim Bexhetin, pa Musa Xhaferin, pa Izet Mexhitin. Do të thotë ky është investim kombëtar dhe ky investim kombëtar ka bazë të fortë dhe përkrahje të fortë”, shtoi ai.
Një ditë pas letrës së 20 zyrtarëve të BDI-së me një sërë kërkesash e akuzash, Ahmeti në një ngjarje në Gostivar rreth vetes kishte mbledhur zëvendëskryeministrin Artan Grubi, zv/ministrin e Brendshëm Nazim Bushi, kreun e kuvendit Talat Xhaferi, ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kreun e degës së Tetovës Faton Ahmeti dhe zyrtarë të tjerë të thirrur në mënyrë obligative për pjesëmarrje.
Pavarësisht qëllimit për të treguar unitet, në këtë eveniment nuk ishte i pranishëm asnjëri nga 20 nënshkruesit e deritanishëm të letrës, e as nënkryetari tjetër i BDI-së Sadulla Duraku, i cili nuk është shfaqur deri më tani në asnjërin prej taborëve.
Një ditë më parë nënkryetarë të BDI-së, deputetë, kryetarë komunash, kryetarë degësh e nëndegësh, anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm dhe zyrtarë të tjerë partiakë ngrenë zërin, sipas tyre, për kthimin e BDI-së në misionin e nisur 18 vite më parë.
Në një komunikatë, e cila mbante firmat e 20 zyrtarëve e aktivistëve, në mesin e të cilëve edhe të nënkryetarëve të kësaj partie Izet Mexhiti, Nevzat Bejta, ish zv/kryeministrit Musa Xhaferi, krerëve të komunës së Sarajit Blerim Bexheti dhe Çairit Visar Ganiu, kritikohej mos themelimi i organeve statutare partiake që sipas tyre bllokon demokracinë në vendimmarrjen politike në këtë parti.
Akuzat shkuan edhe më tej duke thënë se zgjedhjet kadrovike në BDI nuk janë më frymë e pasqyrimit të degëve dhe në përputhje me vlerat e partisë, por janë shndërruar privilegj vetëm i Artan Grubit. 20 të firmosurit kërkuan nga Ahmeti që të nisë debatin politik brenda-partiak dhe të punojë në ruajtjen e unitetit.
“Unë nuk jam funksionar, por jam misionar, përderisa vendi akoma nuk është anëtarësuar në Bashkimin Evropian, në NATO e arrita qëllimin tim, kështu që misioni im akoma nuk është përmbyllur dhe në qafë do të më keni edhe nja 4 vitet e ardhshme”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së./Alsat.mk