Ali Hadri, shkencëtar i madh i dalë nga gjiri i popullit
Shkruan: Mustafë Xhemajli
DUKE E PËRKUJTUAR ALI HADRIN (1928-1987) NË 95 VJETORIN E LINDJES DHE 36 VJETORIN E VDEKJES.
Nga 2 dhjetori i këtij viti është përkujtuar Akademik Ali Hadri, më shumë në rrejtet sociale. Por u mbajt edhe një Akademi përkujtimore nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë si dhe iu promovua një vepër e re e tij “STUDIME DHE KRITIKË HISTORIOGRAFIKE”. Ndërsa Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), heshti ndaj këtij përvjetori të historianit të famshëm të Kosovës – Akademik Ali Hadrit!
***
Në numrin 12, dhjetor 1987, në “Zërin e Kosovës” (Zvicër), organ i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, me rastin e vdekjes së Akademik Ali Hadrit botova shkrimin me titullin “Shkencëtar i madh i dal nga gjiri i popullit”. Në atë kohë shkrimet botoheshin pa emrat e autorëve ose me pseudonime. Shkrimi u botua në ballinën e ZiK me një foto të Ali Hadrit dhe me vazhdim të tekstit në faqen 7.
Ndërsa në librin tim “PUBLICISTIKA KRYENGRITËSE-1980-2000”, Prishtinë, 2010, ky shkrim është botuar me titullin “Edhe unë bart fatin tragjik të popullit tim”, me disa përmirësime dhe ndërhyrje të lehta.
Në vazhdim, shkrimi do të botohet sipas variantit të parë të botuar në ZiK. Këtu do të përmirësohet vitlindja e Ali Hadrit: 3 mars 1928 si dhe saktësohet viti 1981, kur e largojnë me dhunë nga puna.
Për ilustrim vendosen fotofaqet 1 dhe 7 të ZiK – Nr.12, dhjetor 1987.
SHKENCËTAR I MADH I DALË NGA GJIRI I POPULLIT
Më 2 dhjetor 1987, në moshën 59 vjeçare vdiq në Pejë, Akademik ALI HADRI, njëri ndër shkencëtarët më të mirënjohur të historiografisë, jo vetëm shqiptare por edhe më gjerë.
Akademik Ali Hadri lindi në Lushnjë, më 3 mars 1928. Qysh i ri ai u aktivizua në lëvizjen patriotike e revolucionare kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare u aktivizua në organizatën e rinisë komuniste të Pejës, ku u shqua për qartësi trimëri qartësi politike dhe aktivitet të fuqishëm komunist.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore studioi histori dhe historiografi, ku edhe u dallua me punime shkencore në fushën e historiografisë.
Më vonë u bë profesor fakulteti në Universitetin e Prishtinës. Drejtoi me sukses institucione të rëndësishme shkencore në Kosovë e veçanërisht Institutin e Historisë në Prishtinë deri sa më 1981 e larguan me dhunë shovinistët e Beogradit nga posti i këtij institucioni të rëndësishëm si dhe ia morën të drejtën e ligjëruesit në Fakultetin Filozofik, dega e historisë në Prishtinë.
Gjithashtu në këtë kohë e nxorën me dhunë në pension dhe praktikisht UDB-ja e mbajti nën mbikëqyrje (në burg shtëpiak), në shtëpinë e vet në Pejë.
Në vitin 1984, Gjykata antipopullore e Beogradit, Akademik Ali Hadrin e akuzoi për vepër penale, sepse gjoja paska bërë falsifikime të datëlindjes së tij me qëllim të përvetësimit të pensionit; se gjoja qenka i lidhur me organizata ilegale „irredentiste“; se paska „indoktrinuar“ pleq e të rinj në Kosovë e shpifje të tilla aspak të bazuara, por të farkuara në ofiçinat e Beogradit nga armiqtë dhe tradhëtarët e popullit tonë.
“Në praktikën gjyqësore është e mirënjohur që askush në vend nuk është akuzuar për arsye se ka realizuar këtë të drejtë ligjore për pasjen e dokumentit personal. Unë jam viktimë e politikës hakmarrëse e jo për shkak të mosrespektimit të ndonjë pune jashtëligjore. Është koha e fundit që të ndërpritet loja e gjuajtjes së shtrigave në dëm të kombit shqiptar, gjë që nuk mund të jetë aspak mirë as për nacionalitetet tjera në një bashkësi shumënacionale, nëse populli shqiptar në jug të vendit përjeton dramën e thellë tragjike.“*)
Konteksti gjyqësor për Akademik Ali Hadrin zgjati 3 vjet, deri në mars të këtij viti, të cilën akuzë Ali Hadri e hodhi poshtë me vendosmëri, duke thënë hapur se ajo është pjellë e shovinizmit dhe e forcave të errëta antishqiptare. Në një letër që ua kishte dërguar gazetave të Beogradit, Akademik Ali Hadri shkruante:
“Aspak nuk do të pendohem që nëse edhe unë bie viktimë e sadizmit politik, sepse në këtë mënyrë, edhe unë bart fatin tragjik të popullit tim.“*)
Vdekja e hershme e Akademik Ali Hadrit, në këto situata të ndërlikuara dhe shumë të errëta të krijuara nga regjimi policor dhe ushtarak në Kosovë, deklarata e tij, që theksuam më lart, merr një vërtetësi çuditërisht të tejdukshme për ndoshta një krim të ri monstruoz të forcave pushtuese dhe të pushtetmbajtësve në Kosovë. Të kujtojmë se likuidimin e shkencëtarëve tanë të mëdhenj, pushtuesit në Kosovë e kanë praktikuar edhe më parë, madje edhe në ditët e sotme siç ishte rasti me Ismet Gucinë dhe Sadullah Brestovcin, shkencëtarë dhe personalitete të fuqishme të Kosovës.
Akademikun tonë të mirënjohur, Ali Hadrin, shovinistët e Beogradit dhe disa tradhëtarë të popullit tonë u përpoqën ta diskreditojnë, shantazhojnë, kërcënojnë, pra edhe ta zhdukin fare.
Atë e hoqën nga jeta aktive shkencore në kulmin e pjekurisë së mendimit të tij shkencor. Ia hoqën të drejtën e ligjëruesit, ia hoqën nga shkollat dhe fakultetet veprat e tij të shumta që edukuan në frymën e shëndoshë shkencore gjenerata e gjenerata shkollarësh e studentësh; ia hoqën veprat e tij edhe nga shitja si dhe nga vitrinat e ekspozimit në foajenë e Fakultetit Filozofik dhe të Dekanatit. Megjithatë veprën dhe kontributin e tij të jashtëzakoshëm kurrë nuk do të mund ta zhdukin shovinistët e Beogradit.
Akademik Ali Hadri, është njëri ndër personalitetet më të fuqishëm shkencorë në fushën e historiografisë shqiptare (historinë e re).
Kontribut të jashtëzakonshëm ai dha në themelimin dhe ngritjen e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku edhe ishte deri në fund anëtar i saj i meritueshëm.
Akademik Ali Hadri ishte orientues, mentor, recenzor dhe profesor i shquar. Nën kujdesin dhe drejtimin e tij u krijua një gjeneratë e tërë e shkencëtarëve shqiptarë në Kosovë, të cilët me udhëzimet, propozimet për trajtimin e temave kapitale nga historia e popullit shqiptar në Jugosllavi, dhe nën mbështetjen e tij shkencore, krijuan vepra të rëndësishme në fushën e historiografisë duke filluar nga ajo më e vjetra e deri në ditët e sotme.
Në mënyrë të veçantë, për të gjithë, si në opinionin shkencor ashtu edhe te shtresat popullore, Akademik Ali Hadri është i njohur për polemikën e tij shkencore që pati me V. Tempon, e të cilin e deklasoi plotësisht me kokëfortësinë e fakteve shkencore. Tempo kishte hedhur tezat antishqiptare sidomos kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Kosovë, e në mënyrë të veçantë kishte sulmuar hapur PPSH gjatë LNÇ dhe themelimit të saj, se gjoja na ishin komunistët e PKJ-së që themeluan Partinë Komuniste Shqiptare!
“Më akuzojnë për gjoja indioktrinimin e rinisë. Por edhe të moshuarve, por kjo akuzë e zezë nuk zë vend aspak në mua sepse ajo as që më brengosë fare. Ideologjia ime e ka burimin në marksizmin dhe internacionalizmin dhe jo nacionalizmin, e rrjedghimisht edhe krijimtarioa ime shkemncore është marksiste dhe internacionaliste. Ata që nuk dinë të lexojnë në gjuhën shqipe, le të lexojnë libat dhe studimet e mia në gjuhën serbokroate.”*)
Përveç me punime të shumta shkencore në revista e libra shkencorë, Akademik Ali Hadri botoi edhe vepra të veçanta të rëndësishme shkencore siç janë: „PKJ në Kosovë 1919-1941“, monografinë „Ali Kelmendi 1900-1929“ etj. Më 1978, kontribut të jashtëzakonshëm dha në organizimin dhe mbajtjen e Simpoziumit për 100-Vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku edhe kishte nderin të mbante Referatin kryesor. Me sukses të lartë themeloi dhe drejtoi revisën shkencore „Kosova“, e cila u bë një tribunë e fuqishme e mendimit kompetent për çështjet e historiografisë së shëndoshë shkencore lidhur me historinë mijëravjeçare e të lavdishme të Kosovës.
„Në fund, edhe pse karshi aferës së ngritur deri në qiell, aferës së ashtuquajtur falsifikat i datëlindjes, të ashtuquajtur shtrembërim i historisë, të ashtuquajturës lidhje me „organizatat irredentiste“, të ashtuquajturit „indoktrinim nacionalist“, dhe të gjitha këto të ndërlidhura në mënyrë klasike me presionin e politikës së ditës mbi organet e drejtësisë, unë megjithatë jetoj i bindur se gjyqi do të më lirojë nga aktakuza, por, aspak nuk do të pendohem që nëse edhe unë bie viktimë e sadizmit politik, sepse në këtë mënyrë, edhe unë bart fatin tragjik të popullit tim.“- Prishtinë, më 8.III.1987*)- Akademik Ali Hadri.
Një letër që Akademik Ali Hadri ua dërgoi gazetave në fillim të këtij viti, e të cilën e botoi revista e Beogradit “8 Novosti”, shprehu hapur pikëpamjet e tij për dhunën e terrorin që po ushtrohet mbi shqiptarët duke theksuar se “populli shqiptar në Jugosllavi po përjeton dramën e thellë tragjike”.
Akademik Ali Hadri, i pari i dha tezat shkencore, për të botuar një vepër më vete, lidhur me Pushtetin Ushtarak në vitin 1945 në Kosovë dhe i botoi në revistën „Kosova“. Më 1981, pas demonstratave e grevave të popullit tonë, pas vënies së shtetrrethimit, orës policore dhe me fillimin e fushatës së egër të Beogradit, Akademik Ali Hadri i pari ngriti zërin, duke botuar në gazetën „Rilindja“ një artikull të gjatë, të shkruar me kompetencë, për diskriminimin e shqiptarëve nën Maqedoni sidomos kundër historisë, gjuhës, kulturës dhe toponimeve. Analogjikisht një diskriminim i tillë ndodhte dhe po ndodh për çdo ditë kudo në Jugosllavi kundër shqiptarëve.
Akademik Ali HADRI për shkencën shqiptare do të mbetet një ndër figurat më eminente, ndërsa për popullin tonë njëri ndër bijtë e tij, intelektual i spikatur, i cili deri në fund luftoi për të mirën e tij, dhe i cili vuri në shërbim të tij dituritë, erudicionin shkencor të një personaliteti të madh dalë nga gjiri i popullit tonë.
SHËNIM:
*)”Zëri i Kosovës” në shkurt-mars të vitit 1985, ka botuar “TEZAT PËR PUSHTETIN USHTARAK”, të Akademik Ali Hadrit, të botuara për herë të parë në revistën “Kosova”. Në “Zërin e Kosovës” nr.5-6, të këtij viti, u botua në rubrikën “Zëri i protesës së intelegjencës popullore”, nën titullin e Redaksisë “Populli shqiptar në Jugosllavi po përjeton dramën e thellë tragjike”, reagimi i Akademik Ali Hadrit, botuar në revistën e Beogradit “8 Novosti” me titull “PASQYRIM I RREJSHËM PËR MUA”.
Nga ky artikull janë nxjerrë edhe thëniet e Akademik Ali Hadrit që janë futur gjatë artikullit në mesin e kornizave.
“ZËRI I KOSOVËS”, nr. 12, dhjetor 1987.