Ali Lajçi ishte prijës i demonstrata që ia lëkundën themelet shtetit artificial i quajtur Jugosllavi

02 maj 2024 | 12:09

(Fjalë e lexuar nga Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës, Shefik Sadiku në Akademinë përkujtimore e mbajtur në sallën e kuqe, Pallati i Rinisë)

Të nderuar familjarë të Ali Lajçit, të nderuar bashkëvuajtës dhe bashkëveprimtarë, shokë, miq e dashamirë që merrni pjesë në këtë mbledhje përkujtimore kushtuar shokut tonë, Ali Lajçit! Të nderuar, z.Albin Kurti, Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.  Të burgosurit politikë, të anëtarësuar në Shoqatën e të Burgosurve Politikë, janë të pikëlluar për ndarjen nga ne të shokut tonë të vuajtjeve e të idealit kombëtar, Ali LAJÇIT. Aliu ishte njëri ndër prijësit kryesorë të demonstratave të fuqishme të vitit 1981, demonstrata që ia lëkundën themelet shtetit artificial i quajtur Jugosllavi. Për rolin e tij në këto demonstrata, të cilat morën epitetin e Pranverës Shqiptare 81, regjimi titist e dënoi me 15 vjet burg politik, nga të cilat i mbajti 10 vite e 4 muaj. Si veprimtar i dalluar atdhetar është dënuar edhe në vitin 1993. Ali Lajçi ishte ndër veprimtarët më të vjetër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë. Në Kuvendin e Parë të Shoqatës sonë, i mbajtur në muajin maj të vitit 1997, Aliu është zgjedhur nënkryetar i Shoqatës. Ndërsa në Kuvendin e fundit, në vitin 2023, është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Shoqatës. Jemi krenar që shoku ynë i burgut ka bartur edhe shumë funksione institucionale e shtetërore, siç është detyra e kryetarit të komunës së Pejës dhe i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke qenë edhe nënshkrues i deklaratës për Pavarësinë e Kosovës. Emri i Ali Lajçit me shokë ishin sinonim, frymëzim i Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëthemelues të saj. Ali Lajçi do të kujtohet përherë nga anëtarësia e Shoqatës së të Burgosurve Politikë si një veprimtar i përkushtuar, që dha kontribut të çmuar për lirinë e Kosovës. Ai mbetet ndër zërat më të fuqishme për mbrojtjen e Kosovës dhe ndër figurat kryesore në historinë më të re të Kosovës.

Lavdi jetës dhe veprës atdhetare të Ali Lajçit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me vendim të kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi është emëruar…