Ali Lajçi për pranverën shqiptare ’81

30 prill 2024 | 09:02

Intervistë me Ali Lajçin (1955-2024), botuar në vitin 2001 në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, në 20-vjetorin e demonstratave të vitit 1981  (Titulli origjinal: Ngjarjet e ’81-shit nuk janë të këtij apo atij grupi, të këtij apo atij individi, ato janë të studentëve)

Intervistoi: Dush Gashi

Ndonëse kanë kaluar njëzet vjet, për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, apo për “kryengritjen shqiptare”, siç i quajti ato dikush këto ditë, ende flitet me ngjyrime bardhezi, përkatësisht si ngjarje “tepër të rëndësishme të lëvizjes kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi” – kur ato vlerësohen nga organizatorët dhe inspiruesit e tyre, apo si ngjarje që “nuk janë nevojitur”, që kanë ndodhur “në kohë më të pavolitshme” dhe se “i kanë bërë më shumë dëm se sa dobi popullit shqiptar” – kur vlerësohen nga udhëheqësit e atëhershëm të Kosovës … Çka thotë Ali Lajçi, një nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981?”

Me një pallto të gjatë, të leshtë, të modës, me mjekër deri në gjysmë të faqeve, me sjellje e të folur autoritar, Ali Lajçi ishte figurë impresive në mesin e studentëve në vitin 1981. Ndonëse, siç e thotë edhe vetë, nuk ishte anëtar i organizatave a grupeve të atëhershme ilegale, ai do të bjerë në sy si njëri ndër organizatorët kryesorë studentorë të demonstratave. Arrestohet në pasditen e 26 marsit të vitit 1981 dhe, pas hetimeve të përcjella me tortura të llahtarshme, dënohet me 15 vjet burg.

Sot, Ali Lajçi, çuditërisht me dukje thuaja të njëjtë si para 20 vjetësh, është kryetar i Kuvendit të Komunës së Pejës, i zgjedhur në zgjedhjet e para të lira e pluraliste në Kosovë në tetorin e kaluar.

“S’është ndonjë problem, duhet të ketë edhe të tillë që i vlerësojnë negativisht ato ngjarje”, thotë ai. “Por, duhet pasur të qartë se asgjë nuk ndodh më herët a më vonë, por mu atëherë kur duhet të ndodhë. Dhe, si edhe ngjarjet tjera, edhe ato të ’81-shit duhet parë në kontekst të rrethanave të kohës dhe të bëhet dallimi në mes asaj që si vlerë i reziston kohës e çka, në pikëpamje të strategjisë apo metodave, përkatësisht të ‘teknologjisë’ së veprimit, mund të konsiderohet si e paqëlluar, apo si e vjetruar”, thotë ai në bisedë për “Zëri”.

E çka, pra, ka mbetur si vlerë, apo, në pikëpamjen e teknologjisë së veprimit, si e paqëlluar ose e parealizuar?

Që nga viti 1981 nuk ka pasur qetësi shpirtërore për shqiptarët

Kudo në botën e qytetëruar, metoda e të shprehurit nëpërmjet protestave dhe demonstratave, është një mjet që s’vjetrohet, ndonëse tash ato mund të shihen ndryshe në pikëpamje të disa qasjeve, si p.sh., ndërrimi i relacioneve të orientimeve e aleancave, gjë që është shumë normale. Pavarësisht prej relacioneve të reja, bazament mbeten anët programatike dhe do të thosha se arritje e jonë e atëhershme, në kushte gjithnjë konkrete, ishte çështja e identifikimit të çështjes kombëtare si një çështje e pazgjidhur në Ballkan. Është ky strumbullari rreth të cilit shqiptarët sillen edhe sot.

Arritjet prej vitit 1981 janë të qarta dhe kolosale. Ngjarjet e para njëzet vjetëve bënë një orientim dhe kristalizim në vetëdijen kombëtare dhe rihapën edhe një herë vendosmërisht çështjen kombëtare. Që prej atëherë, përkundër oscilimeve, nuk ka pasur qetësi shoqërore, kështu që më 1990 shqiptarët dalin jashtë sistemit dhe atëherë lëvizja shqiptare merr përmasat e një rezistence të vërtetë gjithëpopullore, e udhëhequr fillimisht nga LDK-ja në fazat e para, po edhe me ndihmesën e partive të tjera me të njëjtin program. Mirëpo, në fund u desh edhe një metodë tjetër pa të cilën nuk do të mund të ndodhte ajo që ndodhi, sepse Serbia ishte përcaktuar për luftë në Ballkan dhe ishte e sigurt se, pas kroatëve, sllovenëve e boshnjakëve, edhe me shqiptarët do të kishte një ndeshje ushtarake, gjë që edhe ndodhi. Prandaj, lëvizja kulmoi edhe me rezistencën e armatosur, e cila e ka intensifikuar çështjen dhe i ka dhënë një shtyrje vendimtare, kështu që KS i OKB-së vendos për intervenimin e forcave të NATO-s, me vendosjen e tyre në Kosovë dhe tërheqjen e Serbisë nga Kosova.

Lëvizjes shqiptare, shteti i atëhershëm iu kundërvu me masa tejet të ashpra. A mendon se udhëheqësit e lëvizjes kanë pasur vizion të qartë se si mund të përfundojë projekti i filluar?

Nuk do të thotë se me fillimin e tyre ne kishim një strategji tërësisht të definuar. Mirëpo, ishte e udhës që ato të nisen, sepse ashtu niset një çështje: fillohet me demonstrata në mënyrë që njerëzit të lidhen rreth kërkesave, të kenë një orientim, e pastaj çdo gjë shkon gjithnjë kah ngritja cilësore dhe përsosja me metoda më të reja e më adekuate për një rezistencë përfundimtare.

Thuhet se ato ndodhën në një kohë jo mjaft të volitshme, se statusi i Kosovës ishte avancuar dukshëm dhe ato rrezikonin ta kthenin prapa?

Politikanët tanë duhej ta kërkonin republikën, e jo këtë ta bënin për ne sllovenët, kroatët …

Me Kushtetutën e vitit ’74, Kosova kishte marrë kompetenca bukur të mira. Në fakt, periudha prej vitit 1974 e deri më 1980 ka qenë më liberale dhe populli ka përfituar bukur mirë në arsim, në shkencë e në kulturë, por edhe në zhvillimin ekonomik. Megjithatë, ekzistonte pabarazia në krahasim me republikat tjera në të gjitha fushat dhe Kushtetuta e vitit 1974 nuk e definonte qartë statusin e Kosovës; në të kishte konfuzitete e dualizma dhe, si e tillë, pa një reformë të mirëfilltë kushtetuese, nuk garantonte ecje përpara. Klasa e atëhershme politike ndoshta ka pritur që kërkesat për këtë t’i shtrojë nëpërmjet institucioneve, por në këtë rrugë ajo ka hasur në bllokada të shumta dhe i ka munguar këmbëngulësia që të thyhen ato bllokada. Në të vërtetë, një gjë e tillë edhe ka qenë e pamundur, sepse nuk është bërë një politikë gjithëstrukturore, por një politikë klanore të klaneve që kanë ekzistuar në politikën zyrtare, po edhe të grupeve në lëvizjen shqiptare. Kështu edhe janë huq dy drejtimet strategjike të veprimit: nëpërmjet institucioneve dhe jashtë tyre, formë kjo e kombinuar që sigurisht se do të ishte më e suksesshme. Ishte ky një rast i mirë për klasën e atëhershme politike, po ajo s’e shfrytëzoi atë. Ne i kuptojmë vështirësitë e kohës, por duhet thënë edhe se klasën politike e karakterizonte një miopi politike, prandaj ajo mendonte se Jugosllavia nuk shkatërrohet kurrë! Vetëm po ta kishin të qartë se shtetet ndërrohen, reformohen, ridefinohen, madje edhe shkatërrohen, kjo logjikë do të mund t’i çonte në ecje apo në një shpërthim në atë sistem!

Shpesh krijohej përshtypja se populli ka mbetur në mëshirën e Serbisë e të Zotit, i lënë edhe nga klasa politike në pushtet, po edhe nga udhëheqja e lëvizjes?

Lëvizjes, e kjo është karakteristikë e ne shqiptarëve, i ka munguar një strategji afatgjatë dhe e përpunuar mirë. Shqiptarët kanë bërë rezistencë kolektive, kurse ana organizative ka mundur të jetë më mirë. Mirëpo, në mungesë të traditës së institucioneve, ka ekzistuar lufta divergjente e brendshme, grupore, e cila lëvizjes i ka sjellë dëme të mëdha. Kështu që, klasa jonë politike, në vend që ta mbronte kërkesën për republikë dhe atë ta shtronte në organet federative, duke kërkuar aleatë në mesin e pjesëve tjera përbërëse të Federatës, u detyrua të vihej në pozicion mbrojtës, duke rrezikuar kështu edhe reduktimin e autonomisë. E, pa e bërë këtë klasa jonë politike, kroatët e sllovenët, po e zëmë, s’mund të kërkonin republikë për Kosovën, meqë llogaritej se ajo e kishte udhëheqjen e vet!

Ke qenë pjesëmarrës i ilegales?

Nuk kam qenë në asnjë grup ilegal

Formalisht nuk kam qenë anëtar i asnjë grupi a organizate ilegale, por ato i kam njohur dhe kam lexuar literaturën e tyre ilegale, të cilën gjithnjë e shikoja në formën e një fryme jo krejt aprovuese në kuptim të një strategjie që do të duhej të ishte e re dhe bashkëvepruese. Mirëpo, lëvizja e studentëve është autentike, ajo është e pavarur, ndonëse më vonë në demonstrata janë implikuar edhe grupet që kanë kontribuar dhe kjo ka qenë e drejtë e tyre. Prandaj, ngjarjet e 81-shit nuk mund të thuhet se janë të këtij apo atij grupi, të këtij apo atij individi, siç po vërehen disa tentime të përvetësimit të tyre në kuptimin politik. Ato, para së gjithash, janë të studentëve.

Nga perspektiva e sotme dhe nga përvoja e deritashme, si do të veproje sikur virtualisht të kthehemi në vitin 1981?

Sigurisht se do të veproja me metoda të njëjta: protesta e demonstrata. Ndoshta do të përpiqesha për ta shtyrë në periferi, se edhe atëherë kanë qenë ato periferike, ndonjë parullë të karakterit ideologjik.

Me kë dhe si veproje?

Kemi pasur disa takime dhe një gatishmëri për të vepruar me Riza Demën, Gani Kocin, Bajram Kosumin, Murat Musliun, Jonuz Jonuzin e të tjerë. Shpërndanim materiale, bisedonim, diskutonim çështje politike e kombëtare të të kaluarës e aktuales. Diskutonim ndryshimet kushtetuese, po edhe sistemin e Shqipërisë vend në të cilin nuk kishim qenë, por kishim një lidhje emotive me të. Mund të them se nuk më interesonte sistemi, ose klasat, por çështja kombëtare. Madje, e dija se socializmi si sistem botëror shënonte rrudhje dhe se ai nuk e kishte zgjedhur problemin e shqiptarëve kur kishte pasur mundësi. Prandaj, mendoja ta mbanim frymën e protestës derisa të vinin proceset e ndryshimit të sistemeve”; duhej rënë edhe Enveri, për të parë se çfarë shtigjesh do të hapeshin. Megjithatë, përkrahja e Shqipërisë dhe tumirja e saj për statusin e republikës ishte e mirëseardhur …

A mendon se ishte kjo një përkrahje e sinqertë nga ana e shtetit shqiptar?

Nuk e di këtë. Le të mbetet çështje e tyre. Por, përkrahja që shprehej, kishte efekte politike te ne, na mbante frymën dhe bindjen se kemi të drejtë. Kjo ishte mjaft e rëndësishme.

Personalisht ke qenë i vetëdijshëm se po bën histori, apo je udhëhequr nga entuziazmi rinor?

Intelektualët tanë e kanë dhënë provimin

Sa më përket mua e kam pasur parasysh gjithherë se Kosova është çështje e pazgjidhur kombëtare, prandaj çdo veprim që bëhet për hir të saj, u shua apo jo, do t’i rezistojë kohës, sepse është një vlerë …

Ç’mendon për intelektualët tanë në atë kohë? A kanë qenë mjaft “të rritur” për atë situatë?

Ka pasur oscilime, por marrë në përgjithësi, intelektualët tanë kanë qenë në nivel. Kanë qenë kohë të vështira, prandaj është e natyrshme se dikush ka qenë rob i klasës, dikush me vetëdije jo fort të kristalizuar kombëtare, dikush ka çaluar në anën profesionale, dikujt tjetër i ka munguar interesimi, por më vonë të gjithë e kanë dhënë provimin me rezistimin kundër ndryshimeve kushtetutare, apelit të intelektualëve etj. Të gjitha këto tregonin se ata kanë vetëdije kombëtare.

Në vitin 1981 Ali Lajçi është ngritur kundër një pushteti. Sot ai është vetë në pushtet. Si e ke parë atëherë pushtetin e si e sheh tash?

Janë ngritur tërë shqiptarët, se po të isha ngritur unë s’do të kishte gjë në atë llaf … As tash nuk jam në ndonjë pozitë, po jam i ngarkuar më shumë me përgjegjësi punësh …

Megjithatë, si e ke perceptuar atëherë pushtetin e si e kupton sot?

Atëherë as që kemi menduar për ndonjë pozitë, po vetëm të avancojmë çështjen kombëtare. E, si mund të mendonim për pushtet, kur s’dihej a do të të çelte dita e nesërme! Natyrisht, e dinim se pushteti do të na takojë, por jo neve. Ne ishim të kënaqur se do ta kishin brezat e tjerë!

A do të mund ta shkruajmë ndonjëherë një histori objektive për këtë periudhë?

Unë zakonisht mbaj shënime dhe shkruaj, po asnjë s’e kam publikuar ende dhe s’do t’i botoj edhe një kohë, derisa proceset të përfundojnë. Po, historinë më së miri është ta shkruajnë historianët, natyrisht, me metoda sa më të reja sintetike e komparative.

Ali Lajçi në mesin e studentëve para Konvikteve (26 mars 1981). Në demonstratat e vitit 1981, asnjë qytetar nuk është lejuar të fotografohej. Të gjitha fotografitë e asaj kohe janë bërë nga shërbimet sekrete jugosllave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Humbjet totale luftarake të Rusisë në Ukrainë nga 24 shkurt…