“Alibaba” vendos rekord shitjesh në Ditën e Beqarëve
Gjigandi i tregtisë “online”, “Alibaba”, ka vendosur një rekord të ri shitjesh të dielën, për ditën më të madhe të shitjeve të tij, atë të beqarëve.
Kompania kineze shënoi një rekord prej 1 miliard dollarësh shitje në vetëm 85 sekonda dhe më pas vijoi me 10 miliardë dollarë në orën e parë.
Uljet “online” nisën më 11 nëntor, ditën që për kompaninë kineze i dedikohet beqarëve, në një traditë të nisur që nga viti 2009.
Festivali i shitjeve parashikohet të mbledhë mbi 32 miliardë dollarë këtë vit, sipas një raporti të fundit.
Eventi nisi të shtunën me një festë gala, në të cilën merrnin pjesë këngëtarja amerikane Mariah Carey, një imituese japoneze e Beyonce dhe pati edhe një performancë e “Cirque du Soleil”.
“Alibaba” e krijoi Ditën e Beqarëve si një antitezë për ditën e Shën Valentinit. Tani, ajo është dita e shitjeve më të mëdha “online” në botë dhe totali i vitit të kaluar linte pas shifrat e bëra bashkë të së premtes së zezë apo të hënës kibernetike, që po ashtu njihen si ditë kur kuletat zbrazen./tch/