Alidema: Besoj që me Batatinën do të kemi suksese të mëtutjeshme
Llapi mbrëmë ka fituar Superkupën e Kosovës, pas triumfit ndaj FC Prishtinës me rezultatin 3:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Në këtë ndeshje protagonist kryesor ishte i rikthyeri tek Llapi, Festim Alidema, i cili realizoi dy gola, për t’ia mundësuar ekipit të tij trofeun e Superkupës së Kosovës.
Alidema tha se nuk është 100% në formë optimale, por pavarësisht kësaj potencon se e ka nisur në mënyrë shumë të mirë aventurën e tij tek Llapi.
“Po edhe pse nuk jam me përgatitje në 100%, mendoj që e kam nis në mënyrë perfekte. Jam shumë i lumtur për këtë paraqitje dhe i lumtur me fitoren”, tha fillimisht Festim Alidema për ‘GazetaBlic Sport’.
23 vjeçari më pas tha se beson që do të ketë suksese tjera bashkë me trajnerin Tahir Batatina, i cili është në krye të Llapit.
“Llapi është ekipi që kam pas sezon shumë të mirë edhe sezonet e kalume kur kam qenë. Besoj që me Batatinën kemi me pas sukses të mëtutjeshëm dhe do t’i arrijmë objektivat e klubit”, vazhdoi Alidema.
Në fund, sulmuesi premtoi se do ta japë më të mirën nga vetja që të kënaq tifozët e klubit llapjan.
“Tifozëve ju premtoj se do ta japë maksimumin dhe do të mundohemi të mbushim objektivat e klubit dhe t’i kënaqim tifozët tanë, ‘Legjendat’”, përfundoi Alidema.