Alija: S’do të thotë se ata që bastisen nga Specialja do të jenë të akuzuar
Amer Alija, nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), ka thënë se jo çdokush që bastiset nga Dhomat e Specializuara të Kosovës do të jetë edhe i akuzuar.
“Nuk do të thotë çdokush që është bastisur është akuzuar, në të kaluarën kanë ndodhur dhjetëra bastisje, janë dëgjuar si dëshmitarë më shumë se 200 ish-pjesëtarë të UÇK-së, kemi vetëm 6 pjesëtarë të akuzuar për krime lufte”, tha ai.
Alija në “Five” tha se Gjykata Speciale ka mandat t’i ndjekin personat që dyshohen se e pengojnë drejtësinë dhe zbulojnë informata konfidenciale.
“Dhomat e Specializuara kanë mandat t’i ndjekin personat që bëjnë pengimin e drejtësisë, ndikim te dëshmitarët, zbulim të informatave konfidenciale që janë të ndaluara të ndahen me palët e treta. Është herët të japim një konkludim se çfarë do të ndodhë me këto bastisje”, tha ai.
Ai theksoi se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mandat edhe t’i përgjojnë personat që dyshohen se mund ta pengojnë drejtësinë.
“Çdo person që ka informata apo të ketë kujdes çka deklaron për dëshmitarët, këto raste janë të ndjeshme prokuroria i ka sytë e hapur, telefonat përgjohen, personat qoftë në media apo në aktivitete të ndryshme duhet të kenë kujdes në zbulimin e informatave”, tha ai.
Ai foli për bastisjen e fundit në shtëpinë e Sylejman Selimit, duke thënë se nuk ka shumë detaje se pse ka ndodhur, për shkak se Gjykata Speciale nuk tregon shumë.