Alioski: Dëshmuam se jo rastësisht ishim në Evropian
Maqedonia siguroi garat e balotazhit për Botërorin “Katar 2022”, pasi që shënoi fitore ndaj Islandës me rezultat 3-1.
Në mesin e golashënuesve për Maqedoninë ishte edhe Ezgjan Alioski, i cili ka thënë se në këtë kombëtare asgjë nuk është e rastësishme dhe gjithçka është arritur me punën e palodhur.
“Po shkojmë hap pas hapi. Në kombëtaren e Maqedonisë në futboll në përgjithësi ka ndryshuar shumë, nga stafi profesional, presidenti, jashtë ekipit dhe të tjerët që punojnë dhe shihen. Nuk jemi vetëm ne që luajmë jashtë. Forca është në bashkimin tonë. Kjo është diçka që i mungonte 6-7 vjet më parë”, ka thënë Alioski.
“Tani mendoj se jemi aty ku duhet dhe mund të jemi gjithmonë më mirë, por Katari është larg, sepse do të jetë e vështirë për ne në balotazh. Duhet të besojmë në ekipin tonë, në cilësinë tonë. Tani na duhet përkrahje, që të kemi publikun pas vetes. Të gjithë menduan se për fat shkuam në Evropë, por treguam se jemi të mirë dhe pse jo të mos shkojmë edhe në Katar”, ka shtuar Alioski.