Aliti për ‘Blick’: Kosova është shtet i pavarur
Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës e luajtur për kualifikueset e “Euro 2024” dhe që përfundoi me shifrat 2-0 për vendasit, u ndërpre për më shumë se 50 minuta në pjesën e parë. Arsyeja ishin huliganët rumunë që shpalosën një banderolë në të cilën shkruhej se “Kosova ishte Serbi”. Në lidhje me këtë ngjarje, reagoi edhe mbrojtësi i Kosovës, Fidan Aliti. Mbrojtësi që aktualisht është pjesë e Alanyaspor në Turqi theksoi në një intervistë për zvicerianen “Blick.ch” se Kosova është një vend i lirë.
“Blick”: Aliti, fillimisht barazimi 2-2 ndaj Zvicrës në Prishtinë, pastaj humbja 2-0 me skandalin në Rumani. Sa emocionues ishte ky takim mes Kosovës dhe Zvicrës?
Aliti: Ndeshja ndaj Zvicrës ishte shumë emocionuese. Përgjigja më e mirë ndaj ngjarjeve të patolerushme në Rumani do të kishte qenë që ne të fitonim. Fatkeqësisht nuk ia dolëm.
“Blick”: Loja u ndërpre për gati një orë sepse ju dhe kolegët tuaj u ofenduat nga tribuna dhe në sektorin e tifozëve rumun u ngrit një pankartë që thoshte “Kosova është Serbi”.
Aliti: Këto janë deklarata politike që nuk kanë vend në futboll. Racizëm i hapur. Kosova është shtet i pavarur.
“Blick”: A mund të kishit qëndruar në dhomat e zhveshjes dhe ta braktisnit ndeshjen?
Aliti: Nëse e shohim tani në të ftohtë, ky do të ishte vendimi i duhur. Vetëm atëherë do të kishim bërë një deklaratë të vërtetë. Në fund loja përfundoi normalisht dhe askush nuk u penalizua.
“Blick”: Çfarë po diskutonit në dhomat e zhveshjes gjatë ndërprerjes?
Aliti: Fillimisht zhvilluam një diskutim taktik. Deri atëherë ishim më mirë se Rumania dhe e kishim lojën nën kontroll. Më pas një delegacion i UEFA-s hyri në dhomën e zhveshjes dhe patëm një diskutim të gjatë.
“Blick”: Ndeshja vazhdoi dhe Kosova nuk luajti siç e nisi. Pse?
Aliti: Ju ftoj të pyesni gjyqtarin për këtë. Kjo ishte fatkeqësi! Pas rifillimit, ai vazhdimisht fishkëlleu gjithçka kundër nesh. Kartoni i kuq ishte qesharak dhe u shpik një penallti për Rumaninë. Ky nuk është një justifikim, mund ta shikoni lojën përsëri, mos ngurroni.
“Blick”: Edhe himni juaj u vërshëllye. Sa dhemb kjo?
Aliti: Ne i prisnim dhe si profesionistë duhet të jemi në gjendje t’i përballojmë ato. Por njerëzit vazhduan të bërtisnin “Kosova është Serbi” dhe askush nuk u përgjigj. Vetëm me pankartën u duk se ishte kaluar përfundimisht kufiri.
“Blick”: Kjo armiqësi erdhi vetëm tre ditë pas “miqësore” kundër Zvicrës në Prishtinë…
Aliti: Për ne lojtarët, ndeshja me Zvicrën nuk ishte miqësore. Ne donim të fitonim, kishte shumë në lojë. Më beso; në një duel harron se kush është shoku yt. Por, për të gjithë njerëzit në Prishtinë loja ishte padyshim një festë e madhe. Fakti që shënuam për 2-2 në fund ishte e merituar.
“Blick”: Gjashtë ndeshje, katër pikë. E keni humbur tashmë pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian?
Aliti: Këto pikë mund të mos mjaftojnë më. Por, kampionatin evropian nuk e humbëm kundër Zvicrës dhe Rumanisë, por më parë me barazimin ndaj Andorrës dhe humbjen ndaj Bjellorusisë.