Aliu: Çmimin e lartë të energjisë elektrike po e paguajmë me pyjet e Kosovës
Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka mbajtur një konferencë për medie në lidhje me gjendjen e pyjeve në Kosovë.
Ai ka thënë se sistemi i menaxhimit të pyjeve është i mbushur me burokraci.
Aliu ka theksuar se për prerjen e pyjeve ka lëndë në gjykatë por ato janë për prerës të vegjël.
“Sistemi i menaxhimit me pyjet është i mingarkuar me burokraci të padobishme. Mungesa e mekanizmave kontrollues dhe llogaridhënës ka krijuar një parajsë për prerësit e organizuar dhe ferr për rojtarët dhe prerësit e vegjël ilegalë. Shteti tregohet i fortë me disa prerës të vegjël, të cilët detyrohen të prenë dru në kushtet kur u rritet çmimi i energjisë dhe u bllokohet qymyri. Megjithatë, konfiskimet e shumta të drurëve dhe lëndët e shumta në gjykatë për prerësit e vegjël nuk po sjellin efekte pozitive për shkak se dëmtuesit kryesor të lidhur në zinxhirë me sharra dhe gatere nuk janë të prekshëm nga shteti”, ka thënë Aliu.
Aliu ka thënë se kishte shpresuar se gjendja e pyjeve do të përmirësohej me ardhjen e Ramush Haradinaj në krye të Qeverisë së Kosovës.
“Ai (Haradinaj) është bjeshkatar i rregullt dhe nuk mungon asnjëherë në bjeshkë, madje edhe kur të gjithë mendojmë se ai do të duhej të ishte i zënë. Së paku, këtu pritnim rezultat por ja që kjo dashuria e tij për malet nuk po na jep rezultate. Po i bie që zinxhiri i organizuar i prerësve të jetë më i fortë se shteti dhe kryeministri, ose i lidhur me ta, pasi unë nuk mund ta besoj se degraduesit e organizuar të pyjeve dhe parqeve tona nuk mund të ndalen. Sot, në vend të pastrimit, ripyllëzimit dhe zhvillimit të pyjeve, zhvillohet veprimtari degraduese me ndërtime vilash e restorantesh pa plan dhe pa leje”, është shprehur Aliu.
/Epoka e re/