Aliu e konfirmon se MF-ja i ka mjetet për rrugën Podujevë – Prishtinë
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë me dije se kanë pranuar deklaratën për disponueshmërinë e mjeteve nga ministri i Financave (MF), Hekuran Murati lidhur me projektin e rrugës Podujevë-Prishtinë.
Sipas tij, kostoja e projektit do të jetë gjithsej 38 milionë euro, derisa ka shtuar se në parashikimin e buxhetit ka qenë 22.3 milionë.
Aliu gjatë konferencës për media, ka thënë se problemet që i kanë pasur me këtë rrugë tashmë janë zgjidhur, të cilat kanë pasur të bëjnë me çështjen e shpronësimit dhe çështjen e projektit.
“Pra jo më vetëm pjesa e rrugës nga Lluzhani e deri në Podujevë, po edhe pjesa e rrugës nga Lluzhani deri në hyrje të Prishtinës, respektivisht në fshatin Bërnicë”, ka thënë Aliu.
Aliu është shprehur se i tërë segmenti do të jetë pesë llote. Sipas tij, 16 kilometra nga Lluzhani deri në Bërnicë do të jenë të ndara në katër llote, duke shtuar se lloti i pestë është përfundimi i rrugës nga Lluzhani deri në Poduejvë, që përbën segmentin prej 9 kilometrash.