Aliu: Ferizaj është kryeqytet i bizneseve
Në kuadër të “Ditëve të Biznesit të Vogël 2017”, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim edhe me Komunën e Ferizajt, mbajtën konferencë informuese të enjten me bizneset e rajonit të Ferizajt.
Në konferencë të pranishëm ishin përfaqësues nga: MTI-ja, Komuna e Ferizajt, ATK-ja, Dogana e Kosovës, KEDS/KESCO, si dhe përfaqësues të bizneseve të kësaj ane.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në fjalimin e tij informues për bizneset, foli për shërbimet që ofrojnë institucionet qeveritare, respektivisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në përkrahjen dhe promovimin e vazhdueshëm që po e bën në zhvillimin e ndërmarrësisë dhe në krijimin e kushteve më të mira për biznesin në përgjithësi. “Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të vazhdojë të jetë mbështetëse për bizneset vendore dhe se do të jetë e përkushtuar për krijim të lehtësirave për këto biznese”, kështu deklaroi Hasani.
Ai ritheksoi edhe njëherë se Qeveria e Kosovës është e vendosur t’i fuqizojë dhe t’i japë rëndësi të veçantë prodhimit, pasi që përmes prodhimit krijohen mundësi edhe të gjenerimit të punësimit dhe zhvillimit të përgjithshëm të vendit.
Ai bëri të ditur se edhe përkundër se nuk kanë shumë fond të madh janë të interesuar që nga viti 2018 të mbështesin biznesin edhe me grante. Po ashtu, ai theksoi se Ferizaj është një nga komunat me numër të konsiderueshëm të biznese, andaj kërkoi nga kryetari i kësaj komune që të caktojë një lokacion për krijimin e një zone ekonomike, që do të ishte me interes të madh për bizneset e këtij rajoni, ku do të krijohen mundësi të reja për zhvillimin e ndërmarrësisë së kësaj ane.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, e quajti Ferizajn kryeqytet të biznesit dhe tha se do të jetë mbështetës për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtyre bizneseve. Ai, më tej, u zotua se do të jetë mbështetës në fuqizimin dhe krijimin e kushteve më të mira në zonat ekzistuese, por edhe në zonat e reja ekonomike.
Kurse, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë- KIESA, Besian Mustafa, i prezantoi shërbimet e kësaj agjencie në përkrahjen e ndërmarrësisë si dhe në promovimin e produkteve kosovare jashtë vendit.