Aliu: Ferizaj, ndër qytetet me të qeta në Kosovë
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka zhvilluar një takim lamtumirës me përfaqësuesit e LMT-së nga KFOR-i, togeren Allyson McClain, dhe rreshterin Isaiah Valdez, të cilët për një kohë punuan në rajonin e Ferizajt, ndërkaq tashmë kanë përfunduar mandatin e tyre.
Me këtë rast, kryetari Aliu i ka njoftuar ata lidhur me zhvillimet e fundit, ndërsa theks të veçantë i ka kushtuar situatës së sigurisë në qytetin e Ferizajt.
Ai ka thënë se Ferizaj është njëri ndër qytetet më të qeta në gjithë Republikën e Kosovës.
Kryetari Aliu ka falënderuar mysafirët për punën e bërë dhe takimet e shumta me qytetarët si dhe projektet e dobishme që janë realizuar. Ndërsa togerja Allyson McClain bashkë me ushtarët e tjerë kanë shfaqur kënaqësinë që kanë qenë të mirëpritur kudo që kanë punuar, duke thënë se po largohen nga këtu me kujtimet më të mira.
Në këtë takim morën pjesë edhe ekipi tjetër i LMT-së, që do të qëndrojë për një kohë në Kosovë në krye me rreshterin Joe Brown dhe rreshteri Mario Wright.
/Epoka e re/