Aliu: Jemi ende larg me LDK-në, Presidenti problemi kryesor
Partia e Albin Kurtit ende po e sheh pozitën e Presidentit si problemin më të madh për të lidhur koalicion me Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.
Liburn Aliu, anëtar i Kryesisë së VV-së, ka thënë se përpos pozitës së Shefit të Shtetit kanë edhe dallime tjera me Partinë e Isa Mustafës.
Madje, ka deklaruar se janë larg një marrëveshjeje përderisa ka barrikadim të LDK-së përballë pozitave të caktuara.
“Marrëveshja nuk është afër por përpjekjet s’kemi me i ndalë, por afër nuk është. Kemi mosmarrëveshje sidomos të çështja e Presidentit, por ka edhe pika tjera, njëfarë barrikadim pak i tepruar është prej anës së LDK-së, ne kemi me insistua m’u taku për të biseduar”, ka thënë Aliu, në një bisedë për “Express”.
Sot, dy partitë kanë mbajtur takime të kryesive. LDK ka kërkuar kompromise nga VV-ja nëse dëshirojnë marrëveshje. Në Partinë fituese kanë thënë se s’ka marrëveshje përderisa Partia e dytë s’heq dorë nga pozita e Presidentit.
Pas mbledhjes së Kryesisë, Besian Mustafa, Zëdhënës i LDK-së, ka thënë se Vetëvendosje duhet të bëjë kompromis nëse dëshiron të bëjë koalicion me Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova./GazetaExpress