![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/04/Agim-Aliu-750x406.jpg)
Aliu: Kontrata Kolektive barrë e rëndë për komunat
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, është zgjedhur dje kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Aliu ka thënë se këtë detyrë do të mundohet ta kryejë me përgjegjësi të lartë dhe do të punojë të ketë sa më shumë unitet në AKK.
“Do të punoj në interes të qytetarëve të Kosovës. I falënderoj të gjithë për besimin që më kanë dhënë dje në kuvendin zgjedhor. AKK-ja është skaneri në tërë territorin e Kosovës, pra është një njohje për të gjitha problematikat që i kanë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Aliu për RTK.
Sipas tij, Asociacioni i Komunave të Kosovës do të jetë partner i të gjitha institucioneve të Kosovës.
Ai ka përmendur edhe menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19 në këto dy vitet e fundit.
“Bashkëpunimi me komunat ka qenë i domosdoshëm dhe kjo është arritur falë gatishmërisë së dyanshme, pra të komunave dhe të institucioneve qendrore”, ka thënë Aliu.
Për mandatin që ka filluar, si kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Aliu ka thënë se ka para vetes një agjendë. “Viti 2022 do të jetë më i rënduar për komunat si rezultat i kontratës kolektive, ne duhet të diskutojmë me qeverinë për këtë kontratë, e cila pa drejtësisht i bartë detyrimet tek komunat e Kosovës dhe kjo do të jetë problem për komunat”, ka thënë ai.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Agim Aliu ka folur edhe për problemin e mosfunksionimit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), sipas tij, po i nxjerrë problem shumë komunave në fillimin e implementimin e kontratave për kryerjen e punimeve.
“Janë qindra miliona euro që priten të hyjnë në punë, por për shkak të problemeve që janë në OSHP dhe Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), nuk mund të fillojmë me punime nëpër komunat e Kosovës. Tani është një problem edhe me rritjen e çmimeve që nuk po përputhen me realitetin. Janë qindra kontrata që janë nënshkruar para një viti dhe është një situatë shumë e rëndë. Ne kërkojmë mbështetje nga qeveria. Na duhet një koordinim dhe bashkëveprim i përbashkët”, ka thënë kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu.