Aliu: Më mbetet merak mosparaqitja ndaj Prishtinës

01 mars 2019 | 20:29

Lorik Aliu nuk do ta ketë rastin të jetë në fushë në ndeshjen derbi të Superligës në mes të Llapit dhe Prishtinës. Ai ka thënë për “Epokën e re” se po i mbetet shumë merak mosparaqitja ndaj ish-skuadrës.

Mesfushori Lorik Aliu është rikthyer nga lëndimi i gjatë që e kishte mbajtur jashtë fushës së gjelbër për më shumë se katër vjet dhe ka nënshkruar kontratë për dy vjet me skuadrën e Llapit.

Nesër (e shtunë) Llapi e pret në stadiumin “Zahir Pajaziti” ish-skuadrën e Lorik Aliut, Prishtinën por, për fat të keq, futbollisti nuk do të ketë mundësi të luajë as në këtë ndeshje për faktin se ka pësuar një lëndim tjetër që nuk është shumë serioz. “Isha i gatshëm dhe maksimalisht i përgatitur, por para një jave në një ndeshje miqësore që zhvilluam kundër Fushë-Kosovës kam pësuar një lëndim në nyje që, ndoshta, do të më lë jashtë fushës për 3-4 jave. Shpresoj të mos jetë shumë serioz dhe të kthehem në fushë për ta ndihmuar skuadrën drejt arritjes së objektivit. Sinqerisht më mbetet merak se nuk do të kam mundësinë të luaj ndaj ish-skuadrës sime”, ka thënë Aliu, i cili llogaritej si ndër talentet më të mëdhenj shqiptar, por lëndimet e shpeshta penguan shpërthimi e tij në arenën ndërkombëtare.

Pavarësisht mungesës në këtë ndeshje, Aliu beson se Llapi do të dalë fitues ndaj Prishtinës. Për skuadrën aktuale beson se ka kapacitet që ta ndjekë titullin deri në fund të kampionatit. “Është ende herët, por ne do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe gjithmonë hyjmë për fitore. Fillimisht duam ta mposhtim Prishtinës dhe shpresojmë në hapa të tjerë fals të dy skuadrave konkurrente për titull”, ka deklaruar ai. Aliu ishte pjesë e Prishtinës në grupmoshën U17 dhe U19 si dhe e Kombëtares së Shqipërisë, kurse ai ishte në prova edhe në skuadrën gjermane Borussia Dortmund ku i bindi drejtuesit e këtij klubi, por për t’u bërë pjesë e kësaj skuadre e penguan lëndimet e njëpasnjëshme.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari në Ditën Ndërkombëtare të Personave…