Aliu në takim me Kurtin: Vetëm përmes kontratave kolektive komunat kanë humbur rreth 115 milionë euro
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) dhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se vetëm përmes kontratave kolektive, humbjet e komunave llogariten të jenë rreth 115 milionë euro.
Ai këto ankesa i ka bërë në takimin me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat Elbert Krasniqi dhe Hekuran Muratin për koordinim ndërinstitucional për Strategjinë Kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve; ndërlidhjen e qytetarëve me adresë zyrtare; Kontratën Kolektive, etj.
“Komunave të Kosovës u janë marrë mbi 115 milionë euro, si pasojë e këtyre obligimeve të dala nga kontrata kolektive gjersa vetëm dy vitet e fundit, rreth 80 milionë shuma e paguar nga komunat për obligimet e dala nga kontratat kolektive”.
“Miliona euro humbje nga arkat e komunës, qindra projekte të parealizuara nga komunat ndër vite. Qindra projekte të rrezikuara si pasojë e tkurrjes së detyrueshme financiare e pasigurisë buxhetore nga procedurat përmbarimore”, ka thënë Aliu.
Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se enigmë mbetet mosndëshkimi i personave përgjegjës për siç deklaruar, shkaktimin e dëmit qindra-milionësh për komunat në vend.
“Është problem shumë i madh kontrata kolektive. Ka pasur propozime, megjithatë çka mbetet enigmë se askush nuk është përgjegjës që ka shkaktuar dëmin 115 milionë, gjë që do të konfirmohet edhe nga vetë Asociacioni i Komunave. Çka ne mund të bëjmë si qeveri, është që mund t’u garantojmë që nuk do të këtë nënshkrime të kontratave që i implikojnë palët e treta që janë pa mbulesë. Çdo veprim që e marrim, të sigurohemi që ta ketë buxhetin e nevojshëm”, ka thënë Murati.