Aliu: Para 13 vitesh kemi paralajmëruar për gjendjen e sotme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, në protestën kundër shkëmbimit të territoreve, ka thënë se para 13 vitesh kjo parti kishte paralajmëruar për gjendjen e sotme.
“13 vitë më parë LV-ja ka paralajmëruar se Kosovës po i kanoset një ndarje e dhimbshme. Kemi thënë që e tërë kjo politikë do ta bënte më të vështirë vendosjen e sovranitetit në veriun e Kosovës e po ashtu edhe bashkimin e Luginës me Kosovën. Sot pas 13 vitesh përpjekje bashkë me qytetarët e Kosovës po e dëshmojmë se ky projekt doli ashtu siç e paralajmëruam vite më parë”, ka deklaruar Aliu.
Ai ka shtuar se Hashim Thaçit vonë i është kujtuar bashkimi i Luginës.
“Thaçi po na thotë se ne duhet të vendosim mes të ndarjes dhe Bosnjes, atij po i bie në mend tash se qenka krijuar Bosnja në Kosovë. Deri sot ka bërë Bosnje në Kosovë, e Preshevën e Medvegjën e la si barrierë në komunat serbe dhe sot po deklaron se do ta bashkojë Kosovën Lindore dhe nuk do të japë asgjë”, ka thënë Aliu.