Aliu pas raportimeve se iu punësua motra: Qysh është ftuar s’e kam idenë, mund ta sqarojnë ata të odës e ministrisë
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për 100-ditëshin e qeverisë, ka folur për motrën e tij, Suljota Aliun për të cilën ditë më parë është raportuar se është punësuar në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Aliu ka thënë se motra tij është farmaciste me profesion, e specializuar në farmacinë klinike, duke thënë se në Kosovë janë vetëm 90 persona që kanë këtë pozitë.
Më tutje, ka thënë se ka ndodhur ky emërim dhe se Ministria e Shëndetësisë dhe Oda e Farmacistëve duhet ta sqarojë një gjë të tillë.
“Përveç kësaj, ju e quani punësim, angazhimin e Suljota Aliut, motrës time në një komision në Odën e Farmacistëve, nuk është e punësuar tash, ajo ka qenë në spital punon në barnatoren e Internos, pra përveç asaj gjatë kohës është specialiste e farmacisë klinike. Numri i tyre është jashtëzakonisht i vogël, rrjedhimisht gjasat që ajo ka mundur me qenë pjesë e atij komisioni. Gjasat janë shumë të mëdha, ka qenë aktive edhe më herët, edhe në kohën kur ka qenë ministri nga partia juaj, ka bërë udhëzime me i ndal hajnitë me barna të ndryshme, e ky nuk ka qenë punësim, është ftuar e ka marrë atë detyrë”.
“Qysh është ftuar se kam idenë, mund ta sqarojnë ata që të Odës edhe ministrisë”, ka thënë Aliu.
Më tutje, Liburn Aliu ka folur edhe për akuzat që i janë bërë sot në seancë nga deputetët e opozitës.
“Ju e përmendi Panamanë, po kam qenë në një konferencë të sigurisë ku ka të bëjë më shpëlarjen e parave. Kam qenë me ftesë të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh). Kam pasur nderin me marrë pjesë dhe me mësuar se qysh bëhet shpërlaja e parave, e qysh realisht krimi dhe terrorizmi në botë është i lidhur me shpëlarjen e parave, e ky ka qenë mësim i mirë për mu. Ju e dini çka ka me ju prit, sepse unë jam duke u marrë me ato kontrata, në fillim s’kisha as kohë me u marrë me to, por kur filluat me reaguar, ia nisa me u marrë. Kemi shumë punë, kemi me u marrë me atë punë, e për këtë do të ju siguroj, nuk mundem me i mshelë sytë kur me vjen një shkelje përpara”, ka thënë Aliu para deputetëve.