Aliu për Ligjin e Pagave: Është përmendur barazia, por ndodhi pabarazia
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se nga kjo qeveri është pritur barazia, por ka ndodhur pabarazia me ligjin e ri të pagave.
“Unë mendoj se tashmë janë shfaqur të gjitha ato që kanë të bëjnë me koeficientet edhe realisht është në analizë e sipër për faktin se ka diçka që nga stafi nga administrata që është ngritur vlera e pagës në bazë të koeficientit dhe vlerës së koeficientit të përcaktuar por e keqja është se ka pjesë të administratës komunale ku edhe është zvogëluar.
Unë po besoj se do të adresohen këto shqetësime në mënyrë që në rastin edhe në mundësinë e parë të rishikohen sepse thjesht është trumbetuar se do të ndodhë barazia por në fakt po ndodh një lloj pabarazie, për faktin se të heqësh pagën apo të zvogëlosh pagën nga ajo që ka qenë vërtetë është një pabarazi por po besoj se ka mund të ik diçka nga koeficienti dhe nga ligji dhe kjo do të duhet të shërbente që në perceptimin e ardhshëm të përmirësohet”, thotë ai.
Aliu ka arsyetuar kërkesën për rritje më të madhe të pagës me ngritjen e çmimeve në vend. Ai ka përmendur sfidat me të cilat përballen qytetarët.
“Sigurisht se ka edhe raste të tjera jo vetëm në administratën komunale por edhe në administratat dhe shërbimet të tjera që janë pjesë e Ligjit për Pagat ku janë adresuar defektet e tilla të ligjeve dhe koeficientit, por unë po besoj që në të ardhmen duhet të adresohen në mënyrë që të këtë vërtetë barazi dhe të këtë ngritje të pagës konform edhe gjendjes sociale që e kemi. Inflacioni pastaj edhe shtrenjtimi i shumë produkteve ushqimore, pastaj i energjisë elektrike, e tash së fundmi edhe i tatimit në pronë. Po besoj që janë kosto e lartë dhe e papërballueshme për qytetarët qoftë ata që nuk janë në marrëdhënie publike të punës siç lidhen me ligjin për paga por edhe në marrëdhënie private është një kosto shumë e lartë po beso që duhet reflektuar secili prej nesh me punën dhe përgjegjësit publike që kemi në mënyrë që të bëjmë zgjidhjet e duhura dhe të përshtatshme për t’u ballafaquar me sfidat e kohës”, ka thënë Aliu./EO/