Aliu: Po presim vendimin e mjekëve nëse duhet t’i dërgojmë të lënduarit e rëndë për në Turqi
Nga 40 qytetarë që kanë marrë ndihmën e parë në Spitalin e Ferizajt pas shpërthimit të bombolës së gazit në një restorant në Ferizaj, tani po trajtohen vetëm pesë, përfshirë edhe një fëmijë.
Ata kanë djegie të lehta dhe pas tretmanëve pritet që të lirohen edhe ata për në shtëpi.
Derisa 18 të lënduarit që janë në gjendje më të rëndë po trajtohen në QKUK.
Meqë në Kosovë ka mungesë të shërbimit mjekësor që po kërkohet në këtë rast, kryetari i Komunës Agim Aliu, ka thënë se janë vënë në kontakt me Presidencën e Turqisë për të lehtësuar trajtimin e atyre pacientëve që mund të kenë nevojë.
“Ne jemi në pritje të vlerësimeve profesionale të Këshillit Mjekësor, i cili është duke parë gjendjen nga afër dhe në varësi të përfundimeve që bën ai do të jenë edhe reagimet institucionale, pra të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjendja e pacientëve është e rëndë dhe si e tillë kërkon reagim edhe emergjent dhe ai duhet të jetë i bashkërenduar që të mos humbet koha. Ne si institucione po koordinohemi se në rast se kemi një vendimi për dërgim jashtë vendit të jemi të gatshëm. Kemi mungesë të këtij shërbimi në shëndetësinë tonë dhe përderisa mungon një shërbim i tillë sigurisht që Këshilli vendos që trajtimi të bëhet jashtë vendit”, u shpreh ai.
Aliu ka thënë se shumica prej të lënduarve kanë qenë klientë të restorantit ku ndodhi shpërthimi, por ka pasur edhe të tjerë të lokaleve afër dhe kateve, deri në atë të katërtin të ndërtesës mbi lokalin meqë shpërthimi kanë qenë i fuqishëm.
Ai po ashtu, ka deklaruar se deri më tani Policia e Kosovës në Ferizaj ka thënë se ka qenë shpërthim i bombolës së gazit dhe se nuk ka ndonjë pistë tjetër të dyshimit.