Aliu premton kujdes institucional për personat me nevoja të veçanta
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka pritur të mërkurën në takim përfaqësuesit e shoqatave të personave me nevoja të veçanta në Ferizaj, përkatësisht drejtuesit e shoqatës “Handikos” dhe shoqatës “Hendifer”.
Në këtë takim është diskutuar për një varg çështjesh që shqetësojnë këtë komunitet, me theks të veçantë për zbatueshmërinë e ligjit për këtë kategori shoqërore dhe kompetencat e komunave për trajtimin e nevojave të këtij komuniteti.
Aliu ka siguruar drejtuesit e shoqatave të personave me nevoja të veçanta se në mandatin e tij qeverisës, kjo kategori shoqërore do të ketë mbështetjen e nevojshme institucionale si dhe vendimmarrjen e përbashkët në çështjet që preokupojnë këtë komunitet.
Ndërsa drejtuesit e shoqatave të personave me nevoja të veçanta duke uruar kryetarin Aliu për këtë mandat qeverisës, kanë theksuar se bashkëpunimi i këtyre shoqatave me institucionin e komunës është themelor në avancimin e të drejtave dhe mundësive që burojnë nga ligji përkatës për këtë kategori shoqërore.
Vizioni i kryetarit Aliu për këtë komunitet është realizimi i projekteve konkrete në përmbushje të zotimit të tij për kujdes të shtuar institucional dhe mbështetje reale ndaj kategorive të ndryshme shoqërore, në këtë rast komunitetit të personave me nevoja të veçanta.