Aliu priti në takim ambasadoren e Finlandës, pritet intensifikim i bashkëpunimit
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka pritur në takim të enjten ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall.
Fillimisht në këtë takim, Aliu e ka falënderuar ambasadoren finlandeze për kontributin e shtetit që përfaqëson, gjatë gjithë etapës së zhvillimit të Kosovës si dhe vullnetin e kurdohershëm që të mbështetë e shtyjë përpara agjendën integruese të Kosovës.
Përveç prezantimit të potencialit me të cilin disponon Komuna e Ferizajt, kryetari Aliu, i cili shoqërohej edhe nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Kristina Gashi-Bytyçi dhe drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, ka njoftuar ambasadoren Stjernvall edhe me sfidat me të cilat po përballet qeverisja lokale.
Temë e diskutimit në këtë takim, ishin edhe diaspora shqiptare në Finlandë, potenciali ekonomik i biznesit ferizajas me mundësinë e rrjetëzimit me ekonominë e tregun finlandez, projektet e ndryshme të binjakëzimit, veçanërisht ndërveprimit në fushën e arsimit ku sistemi finlandez paraqet modelin më të mirë të sistemit arsimor e çështje që tjera që për qëllim kanë organizimin e nismave komunitare në fuqizimin e të rinjve.
Ndërsa ambasadorja Pia Stjernvall ka thënë se për Finlandën është me interes zbatimi i programeve për ngritjen e kapaciteteve në të gjitha levat e sistemit qeverisës në Kosovë.
Në këtë kontekst, ajo ka konfirmuar gatishmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme edhe me Komunën e Ferizajt.
/Epoka e re/