Aliu: Pse Hoti nuk e shkarkon Rakiqin, a do të thotë se pajtohet me të?
Ushtruesi i detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, në seancën e sotme të Kuvendit ka kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Goran Rakiq.
Aliu ka treguar se Rakiqi e ka shkelur heshtjen zgjedhore ditën e djeshme dhe se e ka pranuar që dirigjohet nga shteti i Serbisë, derisa ka pyetur “a do të thotë kjo se z. Hoti pajtohet me qëndrimet e tij?”, meqenëse nuk e ka shkarkuar Rakiqin pas kësaj deklarate.
“Dje, zëvendësi tjetër i Avdullah Hotit, Goran Rakiq theu heshtjen zgjedhore duke kërkuar që qytetarët e Veriut të Mitrovicës ta votojnë kandidatin e Listës Serbe. Ky zëvendësi i dytë madje deklaron se Lista Serbe e ka përkrahjen e shtetit të Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiq. Tash, Goran Rakiq nuk është një qytetar i zakonshëm. Qëndrimi i tij pashmangshëm e implikon edhe institucionin ku bën pjesë, Qeverinë e Kosovë”, ka thënë Aliu.
Ai ka shtuar se ka qenë “e pritshme dhe normale të ndodhin shkarkimet tashmë”, duke përfshirë edhe zëvendëskryeministrin tjetër, Driton Selmanajn.