Aliu uron qytetarët e Ferizajt për fillimin e projektit shumëmilionësh
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka përgëzuar qytetarët dhe bizneset ferizajase për fillimin e punimeve në rregullimin e vijës rrugore 5.6 kilometërshe, me 4 korsi, nga Fshati i Vjetër deri në Prelez të Jerlive si dhe rikonstruktimin e Urës në Bibaj.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka bërë me dije se projekti që do të këtë kosto prej 13.4 milionë eurove, do të këtë ndikim direkt në ekonominë lokale dhe qarkullimin rrugor ndërshtetëror.
Postimi i plotë i Aliut:
Muaji i parë i 2021-tës shënoi nisjen e punimeve në një projekt madhor të infrastrukturës rrugore, atë të rregullimit të vijës rrugore 5.6 kilometërshe, me 4 korsi, nga Fshati i Vjetër deri në Prelez të Jerlive si dhe rikonstruktimin e Urës në Bibaj, me kosto prej 13.4 milionë eurove.
Bashkë me Kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Arban Abrashi, Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Shkëlqësinë e Tij, Nicola Orlando, drejtorin e BERZH-it për Kosovë, Neil Taylor dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, bëmë zyrtarisht nisjen e punimeve në këtë projekt shumëmilionësh, me ndikim direkt në ekonominë lokale dhe qarkullimin rrugor ndërshtetëror, për t’i thënë lamtumirë përherë rrugës së vjetër copë-copë e “lumenjve” gjatë vërshimeve përgjatë gjithë kësaj rruge.
Ta gëzojnë qytetarët dhe bizneset ferizajase!