Aliyev nis mandatin e katërt si president i Azerbajxhanit
Lideri autoritar, Ilham Aliyev, ka dhënë betimin për mandatin e tij të katërt si presidentit i Azerbajxhanit, pas fitores së tij në zgjedhje, të cilat janë bojkotuar nga kundërshtarët dhe janë kritikuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Ceremonia e 18 prillit shënon fillimin e mandatit të ri shtatëvjeçar për 56-vjeçarin Aliyev, i cili ka qenë president qysh pak para vdekjes së babait të tij, Heydar Aliyev, në vitin 2003.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë javën e kaluar se Aliyev ka fituar 86.1 për qind të votave më 11 prill, në zgjedhjet e bojkotuara nga partitë kryesore të opozitës.
Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se fitorja e Aliyevit është shënuar me “parregullsi serioze” dhe me mungesë të garës reale, raporton “Rel”.
Më 5 shkurt, Aliyev ka njoftuar se ai është duke afruar datën e zgjedhjeve për datën 11 prill, ndonëse procesi zgjedhor ishte planifikuar të mbahej më 17 tetor.
Qeveria ka thënë se ky ka qenë hap i nevojshëm për të anashkaluar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 2025.
Zgjedhjet kanë ardhur pas përkeqësimit të kushteve ekonomike, të cilat kanë nxitur protesta kundër qeverisë.