Alketa Rama po jetëson ëndrrën e babait në futboll

30 janar 2025 | 16:24

Futbollisti i parë shqiptar që luajti për Zvicrën, Milaim Rama, ka publikuar një foto me vajzën, Alketa Rama, e cila luan për Kosovën, duke e përmbushur zemrën e babait të saj, i cili e kishte kryer karrierën pa e realizuar ëndrrën për të luajtur për vendin e tij të lindjes, transmeton albinfo.ch. Padyshim se kjo histori ishte tërheqëse edhe për mediet zvicerane.

Gazeta “Blick” e ka publikuar një artikull lidhur me Milaim dhe Alketa Ramën. Alketa, 21 vjeçe, është pjesë e skuadrës së femrave të FC Zurich që nga vera e kaluar. “Tani jam më krenarë për karrierën e saj sesa për timen”, thotë Milaimi. Ashtu si babai, Alketa jo vetëm që ka arritur në ligën më të lartë zvicerane, por është bërë lojtare kombëtare. Në shtator të vitit 2022 ajo bëri debutimin e saj në kualifikueset e Kupës së Botës për Kosovën. “Fatkeqësisht, babai im nuk pati mundësinë të luante për vendin e tij. Prandaj mendova të bëja të kundërtën dhe të përpiqesha ta bëja atë krenar”, thotë Alketa.

Alketa kishte luajtur më parë ndeshje ndërkombëtare për të rinjtë për Zvicrën. Para debutimit të saj për Kosovën, ajo ishte e vetëdijshme se “nëse luaj tani, nuk do të ketë kthim prapa”. Por ajo kurrë nuk u pendua për vendimin e saj. “Ndeshja ime e parë ishte shumë emocionuese. Ishte një ndjenjë shumë e veçantë të vishja këtë fanellë për herë të parë dhe më bëri shumë krenare”, kujton Alketa.

Babai i saj pati një rrugë tjetër. Gjithçka nisi kur si 17-vjeçar u largua nga Kosova për në Zvicër, duke filluar nga FC Interlaken në ligën e 5-të. Prej aty, si i talentuar hap pas hapi arriti që në moshën 21-vjeçare të luante në NATI B me FC Thun. Ky ishte fillimi i një rrëfimi të suksesshëm: kalimi në Nati A dhe pjesëmarrja në Kampionatin Evropian. Milaimi ka hapur rrugë për lojtarët kosovarë të tjerë të kombëtares si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Andi Zeqiri. “Thirrja ime e parë për kombëtaren shkaktoi një shpërthim në Kosovë”, thotë Milaimi. “Njerëzit ende flasin për atë moment, kur isha shqiptari i parë i Kosovës që arriti në një kampionat evropian”. Milaimi ndien një lidhje të fortë midis Zvicrës dhe Kosovës për sa i përket futbollit. “Kur luan Zvicra, të gjithë në Kosovë janë për të, përveç kur luan kundër Kosovës ose Shqipërisë!”.

Alketa përjeton shpesh statusin që babai i saj ka ende në Kosovë kur viziton vendlindjen. “Njerëzit janë shumë krenarë për atë që ka arritur babai im”, thotë ajo. Dikur njihej si vajza e Milaimit, por tani po perceptohet gjithnjë e më shumë si një futbolliste e talentuar

Mjekët këshillonin fundin e karrierës për Alketën

Megjithatë, një vit e gjysmë më parë karriera e Alketës ishte në rrezik. Në gusht 2023 ajo pësoi një hernie diskale dhe këmba e saj e majtë u paralizua papritur. “Për një moment mendova se ëndrra ime kishte përfunduar”, thotë ajo. Mjekët e këshilluan ta ndërpriste karrierën. “Nuk pashë më dritë në fund të tunelit”, shprehet futbollistja. Megjithatë, Alketa qëndroi e fortë. Pasi kaloi një periudhë të gjatë rehabilitimi me fizioterapi dhe injeksione, arriti të kthehej në fushë. “Ne festuam edhe suksese të vogla, si kur Alketa mundi të ecte sërish pa simptoma”, thotë Milaimi. Për të kalvari i vajzës ishte i dhembshëm. “Nëse thyeni një ligament, keni mundësinë të riktheheni pas disa muajsh, por një dëmtim shpine në këtë moshë është krejtësisht ndryshe”, shton ai.

Rikthimi në fushë kundër Thunit

Gëzimi ishte i madh kur Alketa u rikthye në fushë në ndeshjen e parë të sezonit kundër Thunit në gusht të vitit të kaluar. Dhe rikthimi i saj nuk mund të shkonte më mirë: Pas hyrjes si zëvendësuese, ajo shënoi një gol dhe ndihmoi me një asist. “Ishte një ndjenjë e shkëlqyer, një peshë e rëndë më u hoq nga zemra”, thotë Milaimi. Që nga ajo ndeshje Alketa ka arritur disa rezultate të tjera të shkëlqyera, përfshirë një gol për fitoren 2:1 kundër Baselit, përpara 3 000 tifozëve në St. Jakob Park, përfshirë familjen e saj me gjyshërit. Milaimi e përshkruan atë çast si një kujtim të paharrueshëm. “Ky është një moment që nuk do ta harrojmë kurrë”.

Një gol në Joggeli? Ky është një objektiv që Alketa e ka arritur, duke kaluar babanë në një aspekt të karrierës. Milaimi ka shënuar gjithsej 54 gola në Superligë, por nuk ka shënuar asnjëherë në St. Jakob-Park. “Ajo godet më shpesh nga distanca”, thotë Milaimi, por Alketa dëshiron të mësojë nga babai i saj për teknikën e lojës me kokë. “Dua të jem po aq efikase para portës sa ai”, thotë ajo.

Në fund, edhe pse ka shënuar dy gola në sezonin e saj të parë në AWSL, Alketa e di se ka ende shumë për të arritur. “Sigurisht që dua të luaj më shumë dhe të shënoj më shumë, por pas lëndimit nuk po e shtyj shumë veten”, ka përfunduar ajo.

Babai i saj tregoi se gjithçka është e mundur, edhe një lulëzim i vonë në futboll. Milaimi debutoi në Superligë kur ishte 26 vjeç, e ky ishte fillimi i një karriere të pasur, që e ka mbushur komodinën e dhomës së ndenjes me trofe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gëzim Morina nga Gjakova shpall të pavlefshme dëftesat dhe diplomën…