Alketa Spahiu u diskriminua në konkursin e MPJ-së, reagon Avokati i Popullit
Para një viti, Alketa Spahiu kishte aplikuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme për pozitën e “Zyrtarit të Misionit Diplomatik”.
Ndonëse nuk ishte pranuar, ajo nuk pajtohej me këtë vendim, për shkak se aludonte se ishte diskriminuar në procedurat e aplikimit, raporton KOHA.
Kështu, Spahiu i është drejtuar edhe Institucionit të Avokatit të Popullit me ankesë, për këtë rast.
Më 13 shkurt, Avokati i Popullit ka nxjerrë një përfundim që Alketa Spahiun kishte të drejtë dhe dëshmohej se ajo ishte diskriminuar në këtë konkurs.
Andaj, ky institucion ka rekomanduar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të rishqyrtojë vendimin, në bazë të të cilit Alketa Spahiu nuk i plotësonte kriteret për të fituar pozitën e “Zyrtarit të Misionit Diplomatik”.
Mes të tjerash, Avokati i Popullit i rekomandon MPJD-së që të mos përsëriten praktika që do të mund t’i anashkalonin kandidatët që kanë kryer studimet jashtë vendit.
Ministria e Punëve të Jashtme ka një afat prej 30 ditësh që t’i përgjigjet IAP-it për vendimet që do të marrë për këtë rast.