Alma Lama: Largimi i parakohshëm nga të qenit ambasadore, hakmarrje primitive politike
Ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka shkruar se më 10 qershor i ka dërguar një letër kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, ku ka kërkuar që të raportojë për punën e saj si ambasadore në Itali dhe për largimin e parakohshëm të saj nga kjo pozitë.
Lama ka bërë me dije se pavarësisht që e kanë njoftuar se do ta presin për të raportuar në këtë komision më 16 korrik, ka marrë njoftimin se është anuluar mbledhja e këtij komisioni me arsyetimin se shumica e anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme nuk mund të marrin pjesë.
Ambasadorja Lama ka thënë se kjo mbledhje është shtyrë për sesionin vjeshtor.
Ajo këtë veprim të këtij komisioni e vlerëson bojkot dhe frikë të deputetëve për t’u përballur me të vërtetën.
“Sa për mua, thjeshtë desha t’ia bëjë edhe një shërbim tjetër shtetit të Kosovës, përndryshe platformat për të thënë të vërtetën janë të pafund. Dhe tashme unë jam një qytetare e lirë, pa asnjë funksion publik që kam mundësi ta mbrojë veten nga sulmet e paskrupullta, shpifjet e neveritshme që mu bënë gjatë gjithë kohës që isha në detyrë, për interesa meskine e në kundërshtim me çdo etike institucionale e shtetërore”, ka shkruar ambasadorja Lama.
Postimi i plotë i ambasadores Lama:
Te nderuar miq,
Më 10 qershor i kam dërguar një letër kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës znj. Osmani-Sadriu ku kam kërkuar për të raportuar para tyre për punën time si Ambasadore në Itali dhe për largimin e parakohshëm, i cili ishte një hakmarrje primitive politike, por me pasoja dhe dëme në interesat e shtetit.
Të njëjtën letër kam kërkuar nga Kuvendi që t’i shpërndahet anëtarëve të komisionit.
Megjithëse fillimisht me njoftuan se do të me prisnin në komision më 16 korrik tashme me njoftuan se është anuluar sepse shumica e anëtarëve të komisionit nuk mund të marrin pjesë. E mbledhja qenka shtyrë për sesionin vjeshtor.
Përveç se një sjellje joserioze, unë këtë e konsideroj bojkot dhe frikë të deputetëve për t’u përballur me të vërtetën.
Po të ishin në nivelin e detyrës këta deputetë me siguri do të më kishin thirrur vet për raportim ose së paku do ta kishin marrë në pyetje ministrin e jashtëm, i cili ka qenë disa herë në raportim para këtij komisioni.
Sa për mua, thjeshtë desha t’ia bëjë edhe një shërbim tjetër shtetit të Kosovës, përndryshe platformat për të thënë të vërtetën janë të pafund.
Dhe tashme unë jam një qytetare e lirë, pa asnjë funksion publik që kam mundësi ta mbrojë veten nga sulmet e paskrupullta, shpifjet e neveritshme që mu bënë gjatë gjithë kohës që isha në detyrë, për interesa meskine e në kundërshtim me çdo etike institucionale e shtetërore.
E Komisionit ju rrite ndera për sesionin vjeshtor….