Alonso edhe zyrtarisht rikthehet në Formula 1
Kampioni i dyfishtë i Formula 1, Fernando Alonso do të kthehet në sport vitin e ardhshëm me Renault. Spanjolli, që do të mbush 39 vjet këtë muaj, e la Formula 1 në fund të 2018 por gjithnjë e mbante derën hapur për një rikthim të mundshëm. Ai do të kthehet në ekipin për të cilin fitoi dy titujt e tij në 2005 dhe 2006.
“Është një burim i shkëlqyeshëm i krenarisë dhe me një emocion të jashtëzakonshëm po kthehem te skuadra që më dha mundësinë time në fillim të karrierës”, ka thënë Alonso.
Spanjolli ka shtuar se përparimi i Renaultit këtë dimër u jep besueshmëri objektivave për sezonin 2022 dhe do të ndaj të gjithë përvojën e tij në garë me të gjithë, nga inxhinierët tek mekanikët dhe shokët e tij të skuadrës. “Skuadra dëshiron dhe ka mjetet për t’u rikthyer në podium, ashtu si unë”, ka përfunduar Alonso.