
Alonso nuk e humbet besimin: Kemi përmbysur mjaft rezultate
Trajneri i Bayer Leverkusen, Xabi Alonso, ka mbetur shumë i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës së tij, që u mund me rezultat 0-3 nga Bayern Munchen në sfidën e parë mes tyre në Liga e Kampionëve. Një humbje që ndërlikon pa masë objektivat e “Aspirinave” në turneun kontinental.
“Kemi bërë shumë gabime në këtë ndeshje të parë, gjë që nuk duhej të ndodhte. Ishte faji ynë”, ka thënë Xabi Alonso.
“Ne nuk e kishim kontrollin e ndeshjes dhe padyshim që kjo ishte shumë e bezdisshme. Do të duhet pak kohë për ta kapërcyer këtë lojë, por ende nuk ka përfunduar asgjë për sa i përket kualifikimit”, ka shtuar trajneri spanjoll. “Gjëra të çmendura kanë ndodhur më parë në futboll dhe ne do të luftojmë për këtë javën e ardhshme, në ndeshjen e kthimit, në fushën tonë. Kemi treguar se mund të përmbysim rezultate”, ka deklaruar Alonso.