Alonso para ndeshjes me Bayernin: Më e vështira e sezonit
Nesër, në orën 18:30, të gjithë do të jenë para televizorit për të parë ndeshjen e parë të madhe të sezonit të Bundesligës mes Bayern Munchen dhe Bayer Leverkusen, përkatësisht i pari dhe i dyti në renditje.
Përballja premton të jetë e nxehtë, duke pasur parasysh “dopietën” e “Aspirinave” sezonin e kaluar.
Xabi Alonso, trajneri i Leverkusenit, e nisi kështu konferencën për shtypin një ditë para takimit: “Është një ndeshje e rëndësishme, ndoshta më e vështira e sezonit të Bundesligës. Ne duam të luajmë mirë, të jemi konkurrues. E dimë që të marrësh diçka nga ‘Allianz Arena’ duhet një paraqitje pothuajse perfekte”.
Ndeshja më e vështirë e sezonit edhe për Bayernin?
Nuk e di. Ne kemi një ide të qartë se çfarë duam me mënyrën tonë të lojës dhe do të përpiqemi ta bëjmë përsëri.
Një opinion për Bayernin e ri?
Ata patën një fillim të mirë të sezonit. Luajnë me energji dhe cilësi të madhe, me ide të mira. Ndikimi i Kompany ka qenë shumë i mirë deri më tani. Nesër na pret një sfidë e madhe. Për të treguar nivelin tonë maksimal, duhet përqendrim i madh, për 95 minuta duhet të jemi gati për çdo situatë.
A do të shkonit në Oktoberfest pas një fitoreje të mundshme kundër Bayernit?
A mendoni ju? Ne kemi një ndeshje kundër Milanit të martën. Nuk kemi kohë, natyrisht nuk është në mendjen tonë. Ne do të kthehemi në stërvitje të dielën në mëngjes, në Leverkusen, për t’u përgatitur për ndeshjen e ardhshme. Kemi një javë të rëndësishme.