Alonso rrezikon tetë vite burg
Ish-mesfushori i Real Madridit dhe Liverpoolit, Xabi Alonso, do të dëshmojë më 22 janar në procesin gjyqësor ndaj tij, ku akuzohet për evazion fiskal, ngjashëm me shumë futbollistë të tjerë në Spanjë.
Spanjolli vazhdon të pretendojë se është i pafajshëm dhe nuk ka pranuar të arrijë një marrëveshje me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu siç kishin bërë futbollistët e tjerë, si Cristiano Ronaldo, Marcelo, Lionel Messi e të tjerë.
Alonso akuzohet se kishte përdorur një kompani të rreme në Madeira të Portugalisë për të mos ia paguar qeverisë spanjolle taksat. Përmes kësaj mënyrë raportohet se Alonso ka përfituar rreth dy milionë euro.
Sipas gazetës spanjolle, El Confidencial, Alonso mund të dënohet me pesë vite burg, ndërsa Prokurori i Shtetit ka kërkuar që dënimit të tij t’i shtohen edhe tri vite shtesë burgim.
Megjithatë, avokatët e Alonsos besojnë se ai është i pafajshëm dhe në këtë mënyrë ai as nuk do të paguajë para për ta mbyllur këtë proces, mirëpo as nuk do të dënohet me burg pasi që do të shpallet i pafajshëm.