Alonso: Tashmë nuk kemi asnjë objektiv, sezoni u përmbys në mënyrë të çuditshme
Pas një sezoni që nisi në mënyrë të shkëlqyer për skuadrën Aston Martin, me disa podiume në garat e para të Formulës 1 me pilotin Fernando Alonso, situata u përmbys në gjysmën e dytë të sezonit.
Një makinë që tashmë është në krizë, çka e konfirmoi gara e fundit në Meksikë, ku të dy pilotët u tërhoqën nga gara. Aston Martin kaloi nga forca e dytë në atë të pestë, duke u parakaluar edhe nga McLareni.
“Ndershmërisht, me këtë makinë që kemi nuk mund të duelojmë më për asnjë objektiv tjetër në tri garat e mbetura. Në botërorin për konstruktorë jemi bllokuar në vendin e pestë, ndërsa në atë për pilotë do të humbasim disa pozicione”, ka thënë Alonso.
“Është e çuditshme që edhe pse mund të kualifikohemi para Ferrarit arrijmë të humbasim pozicione në garë, pasi ai ka një makinë më të shpejtë. Të shohim se çfarë mund të bëjmë në garat e mbetura, duke punuar sa më shumë të jetë e mundur. Nuk jemi të kënaqur me këtë situatë”, ka deklaruar dy herë kampioni i botës në Formula 1.