Alpinisti kanadez mbijetoi pesëdhjetë ditë në pyll në -20°C
Ai lëvizte ngadalë, në secilën nga duart e tij të ngrira mbante një shkop, ndërsa rreth këmbëve ishte mbështjellur me një trastë gjumi.
Të mërkurën e 27 nëntorit, dy punëtorë të një platforme nafte hasën në një burrë që po ecte i shkujdesur përgjatë një shtegu.
Sam Benastick, 20 vjeç, sapo kishte kaluar 50 ditë në pyll në provincën e Kolumbias Britanike, një rajon i largët në veriperëndim të Kanadasë, raportoi “The Guardian” të enjten e 28 nëntorit.
Punonjësit e shpëtimit e kërkonin prej disa javësh.
Ky alpinist kanadez u nis më 7 tetor për një udhëtim dhjetë-ditor, në veri të Maleve Shkëmbore, në Parkun Redfern-Keily.
Një mjedis që mund të jetë “i pamëshirshëm”, sipas faqes së internetit të parkut.
Gjatë qëndrimit të tij, i cili u kthye në një makth, veçanërisht për shkak të klimës së ngrirë me temperatura deri në -20°C, i riu sajoi një strehë pranë një përroi në shpatin e malit.
Ai kishte ndërtuar një kamp në shtratin e këtij përroi të tharë.
Nga fundi i tetorit, kur ai nuk ishte kthyer, familja e tij kishte nisur kërkimet duke njoftuar autoritetet.
Helikopterët, qentë e malit dhe më shumë se pesëdhjetë njerëz u angazhuan për javë të tëra, por më kot.
Kur punëtorët e gjetën aventurierin, ai nuk mund të qëndronte më në këmbë.
Këtë të mërkurë, Policia Mbretërore Kanadeze konfirmoi se ai ishte shtruar në spital në provincën e Kolumbias Britanike.
Ai vuan nga morthi dhe ishte pjesërisht i intoksikuar nga tymi i zjarrit në strehën e tij të improvizuar.
Qendra e Kërkimit dhe Shpëtimit në Okanagan e quajti zbulimin një “mrekulli të pabesueshme”.
Gjyshja e tij ndau me CBC Radio lehtësimin e saj të jashtëzakonshëm pasi gjeti Sam-in: “Nuk mund të ndalem së buzëqeshuri. Jam shumë krenare për të, sepse ia doli të qëndronte gjallë”.