Alternativa kërkon nga Gjini t’i pezullojë punimet në rrugën ‘Nënë Tereza’
Alternativa në Gjakovë, ka kërkuar nga kryetari kësaj komune, Ardian Gjini, që t’i pezullojnë punimet në zgjerimin e rrugës kryesore “Nënë Tereza”.
“Mbesim me shpresën që do të reflektoni në qëndrime dhe do pezulloni përkohësisht nisjen e punimeve për zgjerimin e rrugës ‘Nënë Tereza’”, është thënë në kërkesën e Alternativës, drejtuar Gjinit.
Kërkesa e plotë e Alternativës:
I nderuari kryetar Gjini,
Sapo përfunduam një takim në mes të shumicës së subjekteve politike në Gjakovë me përfaqësuesit e bizneseve dhe banorëve të rrugës “Nënë Tereza”, ku u diskutua sërish për idenë e prezantuar nga ana juaj për zgjerimin e kësaj rruge.
Tashmë e dini edhe zyrtarisht që kërkesa e Alternativës në vazhdimësi ka qenë prezantimi projektit, zhvillimi i debatit publik me qytetarë dhe marrja në konsideratë e komenteve të banorëve dhe bizneseve që operojnë në rrugën “Nënë Tereza”.
Pasi që shpejtuat me fillimin e punimeve pa publikim të projektit dhe duke injoruar kërkesën e bizneseve dhe banorëve të rrugës, ne përkrahëm edhe protestën e datës 15 maj.
Për të qetësuar situatën dhe duke u munduar që edhe njëherë të ofrojmë konstruktivitetin tonë si partia më e madhe opozitare në Komunën e Gjakovës, ju lutemi që të pezulloni urdhëresën për fillimin e punimeve deri në ditën kur do të prezantoni projektin në asamble dhe para banorëve dhe bizneseve të rrugës “Nënë Tereza”.
Alternativa në Gjakovë beson që ekzistojnë mundësi të shumta për të zhvilluar komunikim në të mirë të interesit të përgjithshëm të qytetarëve. Andaj, nëse nesër me datë 18.05.2020 ( e hënë) do të tentoni që t’i rifilloni punimet pa u prezantuar projekti në mbledhjen e asamblesë, atëherë si përfaqësues të qytetarëve në Kuvendin Komunal të Gjakovës, jemi të detyruar të mbështesim çdo iniciativë demokratike e cila pezullon përkohësisht nisjen e punimeve.
Mbesim me shpresën që do të reflektoni në qëndrime dhe do pezulloni përkohësisht nisjen e punimeve për zgjerimin e rrugës “Nënë Tereza”.