Alternativa: Tani janë krijuar kushtet për konsensusin politik rreth demarkacionit
Alternativa ka përshëndetur deklaratën e përbashkët të Kosovës dhe Malit të Zi për marrëveshjen e demarkacionit ndërmjet dy shteteve.
Sipas këtij subjekti politik, me këtë akt janë krijuar kushtet për konsensusin e plotë politik për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror me Republikën e Malit të Zi.
“Alternativa konsideron që për çdo çështje të interesit nacional të ecet përpara me konsensus politik, dhe të nxjerrim mësime nga bllokada që i është shkaktuar vendit që gati tri vite. I bëjmë thirrje partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës që unanimisht ta votojmë marrëveshjen në fjalë, dhe t’i hapim rrugë vendit tonë për liberalizimin e vizave. Po ashtu, ju bëjmë thirrje institucioneve të sundimit të ligjit të shtetit tonë, që me seriozitetin më të madh të arrijnë rezultate të prekshme në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të shmangur çfarëdo pengese për liberalizimin e vizave”, është thënë në komunikatën për media të Alternativës.