Altin Zogaj debuton më 5 maj në boksin profesionist
Boksieri me prejardhje nga Komorani i Drenasit të Kosovës, Altin Zogaj, i cili jeton dhe vepron në Shtutgart të Gjermanisë ka vendosur të bëjë hapin madh duke kaluar në boksin profesionist, kurse debutimi i tij pritet të bëhet më 5 maj në qytetin e Nurnbergut.
Zogajt ende nuk i është caktuar kundërshtari për meçin më të rëndësishëm në karrierën e gjertanishme. Ai ekskluzivisht për agjencinë për sporte luftarake “ArenaRing”, ka thënë se është shumë i gëzuar me një ngritje të karrierës së tij.
“Më boks kam filluar të merrem nga viti 2015, kurse për një kohë të shkurt arrita të bëhem dy herë kampion i Republikës së Baden-Wurttemberg në 81kg, ndërkohë që arrija shumë suksese edhe në turne ndërkombëtarë. Dduke parë se po formohem si boksier, vendosa që të kaloj në boksin profesionist ku debutimin do e kem më 5 maj në Nurnberg të Gjermanisë, por kundërshtari ende nuk është caktuar dhe pres javën tjetër që të di edhe emrin e tij”, ka deklaruar Zogaj, i cili stërvit në Shtutgart me familjarin e tij Festim Kryeziu alias Timo Schëarzkopf.
“Jam duke u përgatit maksimalisht me Festimin dhe trajnerët e mi pasi synoj debutim me sukses. Planet e mija janë që në të ardhmen të ndeshem edhe për titull”, ka deklaruar boksieri nga Kosova.