ALUSHANËT
Shkruan: Ismail Syla
Brenda dy dekadash shumë Alushanë vendorë shkuan tek Alushanët shpirtërorë.
Prej atyre që njoha, pra Muharremit, një ish i burgosur politik, iu bashkua i biri, Ymeri, një kreshnik i Grykës së Llapushnikut, i rënë më 26 korrik 1998 në istikame të UÇK-së. U vra dëshmori Skënder Alushani në ofansivat e shtatorit 1998, djali i Adem Alushanit (Ademi – vëlla i Muharremit). Më pas vdiq Ademi, një burrë dhe patriot i kulluar, vdiq Lejlaja, bashkëshortja e Ademit, vajzë e emtës sime, Manës. Po ashtu vdiq Xhemjali, vëllai i dytë i Ymerit, që ishte mbajtur rob lufte në Serbi më 1999.
Vdiq Xhyla, bija e madhe e Ademit, vdiq Musa, djali i dytë i Ademit, që jetoi gjatë në Gjermani si punëtor emigrant. E më 2 janar 2020 , si në legjenda, vdiq e ëma e Ymerit, Miradija, pasi që mori lajmin se djali i saj, Luani, u sëmurë për vdekje. Tre djemtë e Muharremit shkuan në atë botë: Ymeri, Xhemajli, Luani. Pas lanë fëmijë, djemë dhe vajza të mbara.
Nëna e tyre, Miradija me forcë e përballoi rënien e Ymerit, vdekjen e Xhemajlit, por jo edhe atë të Luanit. Ishte grua e fortë, një oratore e lindur, një nënë tipike shqiptare e rrahur dhe e argasur nga rrymat dhe valët e jetës. Pushofshin të qetë Alushanët e vdekur!
Dy fotot më poshtë i bëra në vendlindjen e nënë Miradijes, në Nekofc, në oborrin e shtëpisë së saj të lindjes, te Muçakët, në korrik 1998, fill pas rënies heroike të Ymer Alushanit.